Gashi: Nëse PDK lë koalicionin, rruga e mbarë i qoftë

Prishtinë | 26 Tet 2016 | 11:18 | Nga

Nëse Partia Demokratike e Kosovës vendosë të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, atëherë Lidhjes Demokratike të Kosovës s’i mbetet të bëjë gjë tjetër përpos ta respektojë vendimin e partnerit të koalicionit qeverisës.

Këtë deklaratë e ka dhënë deputeti i LDK-së, Arben Gashi për KlanKosova.tv, e po ashtu ka shtuar se nga partia e tij, nuk do të ketë përpjekje për ta vazhduar bashkëqeverisjen me PDK-në, nëse kjo parti vendosë ta braktisë koalicionin.

“Nuk mendoj se Kadri Veseli ka paralajmëruar zgjedhje ende. S’kemi një vendim final. Duhet t’i presim dhe më pas LDK-së i mbeten dy zgjidhje, të gjejë partner tjetër në qeverisje dhe nëse s’mund ta bëjë këtë punë, i mbetet që të shkojë në zgjedhje. Vendimin e Partisë Demokratike do ta respektojmë”, ka deklaruar Gashi.

“As PDK-ja e as LDK-ja, nuk mund ta mbajnë njëra tjetrën me zor në koalicion. Nëse PDK-ja vendosë të dalë nga koalicioni, rruga e mbarë i qoftë”.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se edhe zgjedhjet e parakohshme konsiderohen si opsion për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Në anën tjetër, kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar se zgjedhje do të ketë vetëm në afatin e paraparë me kushtetutë, në vitin 2017 zgjedhjet lokale e ato nacionale, në vitin 2018, pasi qeveria t’i ketë mbushur plot 4 vjet mandat.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme