Gashi: Opozita dhe një pjesë e koalicionit qeverisës pamundësuan mbajtjen e seancës

Prishtinë | 11 Nën 2020 | 12:16 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i grupit parlamentar  të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se mbajtja e mbledhjes së Kuvendit, në të cilën në rend dite ishte miratimi i Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike u pamundësua nga një pjesë e koalicionit qeverisës dhe opozita, raporton Ekonomia Online.

“Ne sot tentuam që të mbajmë seancën e jashtëzakonshme për leximin e dytë të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, mbajtja e kësaj seance u pamundësua nga një pjesë e partnerëve të koalicioni dhe nga veprimet obstruktive të opozitës. Nuk po vjen Lista Serbe në seancë.Kërkoj që të gjithë deputetët e Kosovës të vijnë dhe t’i kryejnë detyrat e veta kushtetuese. Një pjesë e opozitës dhe koalicioni qeverisës po bëjnë veprime obstruktive”, ka thënë Gashi.

Tutje Gashi ka thënë se qytetarët do ta kenë shumë vështirë që ta përballojnë një mbyllje të dytë.

“Unë mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm, ekonomia dhe qytetarët do ta kenë shumë vështirë ta përjetojnë edhe një mbyllje. Mbetet të koordinohet me të gjitha palët dhe kur është më e mundshme që të mbahet një seancë e suksesshme, sepse kosovarët do të përballen me një dimër të ftohtë”, ka thënë Gashi.

Gashi ka shtuar se nuk ka përçarje në koalicion sa i përket presidentit sepse nuk ka ndonjë marrëveshje për këtë post.

“Qeveria është në detyrë dhe ka legjitimitetin e plotë që të veprojë në interes të qytetarëve. Ky koalicion nuk ka marrëveshje për presidentin dhe nuk ka përçarje për këtë çështje”, shtoi ai.

Të ngjashme