Gashi: Partitë të garojnë të vetme, në të kundërtën LDK-ja hyn me VV-në

Prishtinë | 14 Gus 2019 | 10:45 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, në Kosovë është krijuare një situatë e re politike dhe se tashmë ka mbetur në duar të sovranit që të vendos për përbërjen e re të qeverisë, raporton EkonomiaOnline.

Ai ka thënë se presidenti Thaçi e ka përdorur mundësinë e tij kushtetuese, kur ia ka ofruar Veselit mundësinë për të nominuar një kandidat për kryeministër, e që ky i fundit nuk e ka pranuar.

Dhe tashmë ai ka thënë se është koha që të mbahen zgjedhjet e reja të parakohshme.

“Tashmë ka marrë formë, në aspektin politik kemi disa partnerë të koalicionit, kjo është situatë e re politike e cila kërkon t’i kthehemi sovranit. Në dorëheqjen e Haradinajt është situatë e re politike dhe ka mbet në dorën e presidentit të ofrojë mundësinë partive politike të marr vendimin për krijimin e qeverisë, i ka ofrua Veselit të ndërtojë një koalicion të ri, Veseli e ka refuzua të marr përsipër formimin e koalicionit”.

“Partitë politike kanë vendos që brenda datës 22 gusht te vendoset shpërndarja e Kuvendit dhe të mbahen zgjedhjet, diku në fund te shtatorit 22 apo 29 shtator nëse shpërndahet Kuvendi, nëse nuk shpërndahen janë afatet Kushtetuese”, tha ai.

Gashi po ashtu tha se do të ishte mirë që secila parti të garojë e vetme në zgjedhje që të shihet forca politike e secilit subjekt, por nëse partitë tjera vendosin të shkojnë në garë me koalicione, LDK-ja do ju kthehet me të njëjtën monedhë ku do të ketë koalicion opozitar, me VV-në.

“Të shkojmë vetë në zgjedhje, të shohim se cila parti ka forcë më të madhe, duke mos ditur forcën e secilës nuk mund ta dimë impaktin politik, nëse do kemi koalicion mes partive normalisht edhe ne jemi për koalicion opozitar”, tha Gashi.

Këto deklarata deputeti i LDK-së i dha në debatin e organizuar nga Kolegji Riinvest, me temën “Çfarë zgjidhje ofrojnë zgjedhjet?”, ku pjesëmarrës ishin edhe Blerta Deliu-Kodra nga PDK-ja, Ahmet Isufi nga AAK-ja dhe Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje.

Të ngjashme