Gashi: Presidenti ta respektojë Kushtetutën, t’ia japë mandatin Kurtit

Prishtinë | 15 Qer 2017 | 10:13 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Avokati Tomë Gashi ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 11 qershorit dhe se këtij subjekti politik i takon të formojë Qeverinë.

Gashi, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se nëse koalicioni PAN dështon ta formojë Qeverinë, atëherë presidenti duhet ta mandatojë Vetëvendosjen për krijimin e institucioneve të reja.

Madje ai ka thënë se në këtë rast as presidenti i vendit nuk mund ta anashkalojë Kushtetutën e Kosovës.

“LVV është tanimë përpara secilës parti politike në Kosovë dhe besoj se pas dështimit të formimit të qeverisë nga koalicionet që unë përmenda atëherë do të jetë Lëvizja Vetëvendosje që në krye me Albin Kurtin, i nominuari për kryeministër që do ta formojë qeverinë e Republikës së Kosovës. Unë besoj se presidenti Thaçi nuk ka kurrfarë mundësie që ta anashkalojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Këtu janë shumë thjesht parime të përcaktuara dhe nëse nuk arrihen 61 deputetë me rastin e votimit për zgjedhjen e qeverisë nga ana e koalicionit fitues të themi atëherë nuk ka zgjidhje tjetër përveç që shansin e dytë t’ia jep Lëvizjes Vetëvendosje për ta formuar qeverinë”, ka thënë ai.

Gashi ka thënë se në këto zgjedhje sovrani vendosi se kush duhet të jetë në pushtet e kush në opozitë, duke shtuar se Lëvizja Vetëvendosje ka fituar bindshëm dhe më shumë se secila parti, duke përjashtuar koalicionet.

“Shumica e partive politike kanë deklaruar se sovrani duhet të deklarohet se kush duhet të jetë në pushtet, respektivisht kush duhet ta udhëheq Kosovën në të ardhmen dhe të formoj qeverinë atëherë sovrani e ka thënë fjalën e vet. Në këtë rast nëse i marrim të gjitha partitë individuale atëherë është shumë e qartë se Lëvizja Vetëvendosje ka fituar bindshëm më shumë se secila parti individualisht dhe besoj se e ka marrë votën e popullit për formimin e qeverisë së Republikës së Kosovës në të ardhmen”, ka thënë ai.

I pyetur nëse do t’i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje, Gashi nuk e ka mohuar faktin, duke thënë se një ditë edhe mund t’i bashkohet këtij subjekti politik.

Zgjedhjet e 11 qershorit nxorën fitues PDK-AAK-NISMA-n, me rreth 34 për qind të votave. Lëvizja Vetëvendosje e dyta me 27 për qind dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa me 25 për qind të votave.

Të ngjashme