Gashi: Propozimi për koalicion u dizajnua nga VV-ja dhe Kurti ashtu që të refuzohet

Prishtinë | 02 Sht 2019 | 22:00 | Nga Ekonomia Online

Ndonëse u prit deri në momentet e fundit, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosja nuk arritën të bëjnë një koalicion parazgjedhor.

Arben Gashi nga LDK-ja ka treguar se pse nuk u arrit që të bëhet ky koalicion.

“Në historinë 20 vjeçare të partive politike në Kosovë, LDK-ja ka pasë koalicione pothuajse me të gjitha partitë, ndonëse janë shoqëruar gjithmonë me vështirësi dhe histori të dhimbshme për LDK-në”.

“Shumë zyrtarë të lartë të LDK-së e kanë humbur jetën, janë vrarë ose kërcënuar në forma dhe kohëra të ndryshme”.

“Një nga faktet që ka të bëjë me Vetëvendosjen janë protestat e para tri vitesh dhe dhuna e shfaqur në rrugë që është drejtuar kryesisht nga kryeministri i atëhershëm dhe kryetari i sotëm i LDK-së Isa Mustafa”.

“Por, kryetari i LDK-së duke e parë interesin madhor të vendit ka vendosur që të gjitha fyerjet dhe inatet personale ndaj tij t’i tejkalojë dhe të shohë mundësinë e bashkëpunimit për një interes më të madh për vendin”.

Gashi në Zona Zgjedhore të Klan Kosovës ka thënë se ky koalicion potencial me Vetëvendosjen ka pasë më shumë probleme se sa ato që janë shfaqur.

“Koalicioni ka pasë probleme me konceptin e qeverisjes, shtetit, ekonominë, politikën e jashtme të Kosovës, Gjykatën Speciale dhe plot probleme jetike për vendin”.

“Në letrën e fundit që Albin Kurti ia drejtoi Isa Mustafës ato u reduktuan në individë dhe emra. Koncepti i ndërtimit të një gare të brendshme për konceptin dhe mendësinë e politikbërjes brenda LDK-së ishte i papranueshëm”.

“Ndërtimi i një gare të brendshme mendoj se është koncept i gabuar dhe i papranueshëm për LDK-në, por për bindjen time është dizajnuar i tillë nga Vetëvendosja dhe Albin Kurti që të refuzohet si koncept”.

“Është mendim i gabuar i të bërit politikë që ka vrarë mundësinë që ne në këtë situatë parazgjedhore të bashkëpunojmë”.

Ai ka thënë se mbetet hapësirë që pas zgjedhjeve të ketë bashkëpunim me Vetëvendosjen varësisht nga rezultatet e konfirmuara të zgjedhjeve.

Të ngjashme