Gashi propozon të mbahen debate publike në diasporë lidhur me pjesëmarrjen e saj në institucionet e vendit

Prishtinë | 02 Tet 2018 | 14:19 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Diasporës, Dardan Gashi, ka paraqitur para komisionit idenë për mbajtjen e debateve publike në diasporë lidhur me draft-ligjin për diasporën dhe për pjesëmarrjen e diasporës në institucionet e vendit.

“Sa i përket amendamentimit të ligjit ekzistues për Kosovën, Qeveria e Shqipërisë dhe Kosovës ka bërë një marrëveshje gjithëpërfshirëse sa i përket diasporës. Ideja që qendrat kulturore kanë gjetur dështim, ju pata thënë që do të mbyllen dhe janë mbyllur. Ideja është që tash me Shqipërinë këto qendra të jenë të përbashkëta. Për me kriju një ligj gjithëpërfshirës dhe adekuat propozimi ynë është që të kemi debate publike të përbashkëta në diasporë që ta diskutojmë draft-ligjin.

“Do të ishte mirë që ligji të përfundonte këtë vit. Sa i përket shpenzimeve të udhëtimit ne kemi mendu që buxheti të merret edhe nga buxheti i ministrisë. Ideja është që të bëhen dy debate, një për ligjin dhe pjesëmarrjen e diasporës në institucionet e vendit”.

Ai tha se drejtori  i qendrave kulturore do të bëhet me konkurs dhe pa ndërhyrje politike, raporton Ekonomia Online.

“Kartoni i Gjelbër  nuk ka qenë vendim i ministrisë. Ne kemi kriju disa lehtësira bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme mirëpo nuk e kemi zgjedhur problemin. Unë pajtohem që një qendër të formohet nga një ministër të ketë ndikim politik, mirëpo drejtori për qendër kulturore do të zgjedhet me konkurs. Drejtori i kësaj qendre do të marrë rrogë, mirëpo nuk do t’i ketë shpenzimet tjera të mbuluara”.

“Diaspora sa i përket votimit është jashtëzakonisht e diskriminume. Qytetarët që i kemi jashtë duhet të kenë të drejtën e votës dhe nuk është as përafërsisht shteti i Kosovës duke e trajtu diasporën ashtu siç duhet”, tha ai.

Deputetja Fitore Pacolli tha se krijimi i qendrave kulturore nga qeveria krijon mundësinë për ndërhyrje politike, raporton EO.

“Nuk ka planifikim se çfarë do të bëhet me bankën e diasporës e as për Kartonin e Gjelbër. Sa i përket qendrave kulturore dikush duhet ta marrë përgjegjësinë se në çfarë forme janë krijuar dhe pse kanë dështuar. Në krijimin e qendrave kulturore nuk duhet të ketë njerëz nga qeveria, sepse si të tillë mund të keqpërdoren. Ato duhet të jenë të pavarura nga qeveria”, tha ajo.

Zafir Berisha tha se diaspora duhet të jetë më aktive në skenën politike në vend.

“Çështja që duhet me u diskutu është përfaqësimi i diasporës në kuvend. Diaspora duhet me qenë më aktive në politikë”.

Të ngjashme