Gashi: Simmons i tregoi pakënaqësitë, tash duhet të dëshmojë në favor të të akuzuarve në Hagë

Prishtinë | 12 Kor 2021 | 18:57 | Nga Ekonomia Online

Avokati Tomë Gashi i ka vlerësuar si shumë të mirëseardhura deklarimet para deputetëve të Kuvendit të Kosovës të ish-kryetarit të Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons.

Gashi në Info Magazine deklaroi se mëkati i vetëm i ish-gjyqtarit është që nuk i tregoi me kohë pakënaqësitë e tij, njofton Klankosova.tv.

“Ka bërë mirë që ka pranuar këtë formë që të flasë para deputetëve tanë dhe që të sqarojë pakënaqësitë e tij të cilat paraprakisht kanë qenë pakënaqësi tona dhe neve avokatëve që jemi marrë me gjykime të profilit të lartë dhe mendoj që mëkati i tij i vetëm është që këto gjëra nuk i ka thënë publikisht në kohën e duhur”.

“Dëshmia e Malcolm Simmons është e mirëseardhur besoj që nuk ka ndonjë kredibilitet dhe ndonjë peshë të madhe për të na treguar ne për parregullësitë që i ka bërë EULEX-i këtu gjë që ishte pasuese nga UNMIK-u e edhe EULEX-i ka bërë parregullsi edhe më të mëdha të cilat ne i kemi parë”, tha Gashi.

Tutje Gashi theksoi se Simmons do të duhej ashtu siç edhe e shprehi sot gatishmërinë që të dëshmoj në favor të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që janë duke u gjykuar në Hagë.

“Por, mendoj se e vetmja e mirë është nëse ai [Simmons] pranon dhe do të duhej sepse edhe u deklarua sot që është i vullnetit të mirë që të dëshmojë në favor të të gjithë të akuzuarve në Gjykatën Speciale dhe besoj që secili avokatë që ka klientë atje duke përfshirë nga zotëri Hashim Thaçi deri tek Pjetër Shala”.

Avokati mes tjerash thotë se nga ish-presidenti Hashim Thaçi e deri tek ish-pjesëtari i fundit që u ftua nga Specialja, Pjetës Shala, duhet ta ftojnë Simmons që të dëshmojë për ta.

“Secili në rastin e tij do të duhej ta ftonte këtë gjyqtar dhe ish-kryetar të gjyqtarëve të EULEX-it që të dëshmojë në Gjykatën Speciale dhe me këtë do të vërtetohej posaçërisht ajo që thuajse ne të gjithë e dinim që dëshmitarë të caktuar ndoshta jo të gjithë që ishin të mbrojtur dhe dëshmonin për krime të supozuara të cilat kurrë nuk kanë ndodhur nga ana e pjesëtarëve të UÇK-së janë joshur për jetë më të mirë në shtetet evropiane, janë joshur edhe me pagesa të ndryshme dhe me benefite të ndryshme gjë që ai [Simmons] do të duhej t’i thoshte para Gjykatës Speciale dhe kjo do të ishte më e mira që gjyqtari, Malcolm Simmons, mund ta bëjë në vitin 2021”.

Të ngjashme