Gashi thotë se Prokurori Special ua shkeli të drejtat Thaçit dhe Veselit

Prishtinë | 25 Qer 2020 | 21:45 | Nga Ekonomia Online

Avokati Tomë Gashi, në emisionin Pressing të T7, ka thënë se janë shkelur të drejtat e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit, në momentin kur janë publikuar emrat e tyre në aktakuzën të cilin prokurori special ia ka nisur Gjykatës Speciale.

“Janë bërë shkelje të të drejtave të Thacit dhe Veselit, kur kemi parasysh se është bërë publike emri i tyre ndërsa i pjesës tjetër të akuzuarve jo”, është shprehur Gashi.

“Kjo për shkak se Thaci është president ndërsa Veseli kreu i Partisë Demokratike të Kosovës”.

Gashi gjithashtu tha se publikimi i emrave nga ana e prokurorit nuk është normale sepse Veseli dhe Thaci janë të mbrojtur me ligjin e prezumimit të pafajësisë.

“Aktakuza ekziston, por publikimi i ditës së djeshme i emrave të të akuzuarve, nuk është normale të publikohen sepse i mbron ligji me prezumimin e pafajësisë”, ka thënë Gashi.

Tutje, Gashi tha se edhe nëse këto aktakuza hidhen poshtë, dëmi tashmë është bërë.

“Prokurori është munduar ta sqarojë pse janë publikuar emrat. Nëse gjyqtari i ka provat që i ka siguruar prokurori, e kjo aktakuzë nuk vërtetohet, ajo do të hidhet poshtë. Por, dëmi tashmë është bërë”, shtoi Gashi.

Të ngjashme