Gazeta zvicerane: Në vendin mbase më të korruptuar të Europës, Kurti synoi t’i jap fund klientelizmit

Prishtinë | 30 Maj 2020 | 08:56 | Nga Ekonomia Online

Gazeta zvicerane thekson se Gjykata Kushtetuese në Kosovë i dha të drejtë presidentit Hashim Thaçi, i cili konsiderohet përgjegjës për plaçkitjen e shtetit.

Në numrin e së shtunës gazeta e njohur zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” shkruan se Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka hapur rrugën për krijimin e qeverisë së re. Gjykatësit thanë se presidenti Hashim Thaçi nuk e shkeli Kushtetutën kur në fund të prillit me dekret ngarkoi partinë e dytë për themelimin e qeverisë. Partia e Kurtit nuk propozoi një kandidat të ri për kryeministër dhe kërkoi zgjedhje. Në rast zgjedhjesh Kurti ka shanse të mira të rrisë përkrahjen. Pakënaqësia te populli pas rrëzimit të qeverisë ishte e madhe, shkruan gazeta zvicerane. Tani i është hapur rruga LDK-së, partneres së deritanishme të Kurtit, për të themeluar qeverinë.

“Neue Zürcher Zeitung” thekson se konflikti mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Hashim Thaçi u ashpërsua pasi Thaçi dhe LDK së bashku u angazhuan për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme pas përhapjes së pandemisë. Në gjendje të jashtëzakonshme Thaçi do të kishte kompetenca shtesë. Gazeta thekson se Thaçi i përket establishmentit që dominon politikën e Kosovës që nga lufta dhe konsiderohet përgjegjës për plaçkitjen e vendit.

Në vendin mbase më të korruptuar të Europës, Albin Kurti synoi t’i jap fund klientelizmit dhe të fillojë reforma të thella. Suksesi i Kurtit në zgjedhjet e tetorit tregoi se kosovarët janë neveritur me elitat e vjetra. Kurti është politikan karizmatik, i cili demonstron një vetëbesim ndaj fuqive mbrojtëse perëndimore. Në luftën interne për pushtet Washingtoni përkrah hapur Thaçin, të cilit i beson më shumë se Kurtit se do të arrijë një kompromis me Serbinë. Në vitin 2018 Thaçi dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq hodhën në opinion idenë kontraverse të shkëmbimit të territoreve. Siç zbuloi këtë javë platforma hulumtuese BIRN qeveria e Kosovës pagoi madje një zyrë në Paris për të propaganduar idenë e prekjes së kufijve.

Të ngjashme