Gazsjellësi amerikan, Haradinaj takon drejtoreshën e misionit të MCC

Prishtinë | 29 Pri 2022 | 14:31 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim drejtoreshën e Misionit të MCC në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Sarah Olmstead.

Haradinaj ka thënë se programi Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) është dëshmi e vazhdimësisë së këtij partneriteti afatgjatë mes dyja vendeve.

“Kosova ka arritur të ndërtojë demokraci të qëndrueshme dhe të avancojë në zhvillim, falë ndihmës së aleatëve tanë. Kontributi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është i pazëvendësueshëm dhe programi Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) është dëshmi e vazhdimësisë së këtij partneriteti afatgjatë mes dyja vendeve”.

“Sot kisha nderin të pres në takim zonjën Sarah Olmstead drejtoreshë e Misionit të MCC në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, me të cilën bashkëbiseduam për sfidat në të cilat po kalon Kosova, dhe e falënderova për kontributin e shkëlqyeshëm të MCC, që përmes projekteve të shumta, dinamizojnë zhvillimet në forcimin e ekonomisë, sigurisë dhe demokracisë në vendin tonë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.

Haradinaj ka rikonfirmuar qëndrimin e tij për gazsjellësin amerikan.

“I konfirmova edhe njëherë mbështetjen time për projektin e gazsjellësit amerikan Shkup-Prishtinë, si dhe për projektet e tjera strategjike në dobi të qytetarëve dhe Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Haradinaj.

Të ngjashme