GDP – kapërcim kualitativ nga Vetëvendosja

Prishtinë | 29 Mar 2018 | 21:36 | Nga

Shefi i Grupit Parlamentar të Deputetëve të Pavarur, Dardan Sejdiu, ka thënë se formacioni i ri mund të përkufizohet si kapërcim kualitativ nga Lëvizja Vetëvendosje, ikje nga trajtimi etnik, drejt trajtimit qytetar të çështjeve.

Në Zona e Debatit në Klan Kosova ai ka deklaruar se ideja e tyre mbi politikbërjen lidhet me vijëzimin e saj me nevojat e qytetarit dhe ikjen e luftimin e kapjes për tema të mëdha.

“Grupi i Deputetëve të Pavarur është grup njerëzish që për një kohë të gjatë kanë ndarë ide të njëjta për zhvillimin e këtij shteti. Ne besojmë shumë që qysh në fillim në kuvend të shpërfaqemi me tema për të sjellë një vlerë të shtuar, duke ofruar alternativa për zgjidhjen e problemeve në vend. Në kuvend do të shpërfaqet lloji i politikave me të cilat do të ecim përpara. Në Kosovë shteti është kapur nga brenda për shkak të emërimeve partiake dhe nga jashtë për shkak të bisedimeve të vazhdueshme me Serbinë”.

“Për një kohë të gjatë është krijuar bindja që tema e demarkacionit po e pengon diskutimin për cështje tjera me rëndësi për jetën e qytetarit. Kjo elitë politike e ka të nevojshme krizën për të mbetur në pushtet. Ne duhet të dalim nga ky rreth vicioz dhe ta vendosim politikbërjen në vijë me nevojat e qytetarit. Ne nuk kemi sistem shëndetësor të mirëfilltë, sistemi pensional nuk është në përputhje me nevojat e qytetarit, kontrata për energjinë nuk është diskutuar fare me faktorët relevant”.

“Nuk po them që është e parëndësishme mënyra si i qasemi problemit të quajtur Serbi. Por nuk duhet mbështjellur gjithçka vetëm me këtë temë. Për shembull, 53 ligje presin për seancë të kuvendit, pasi kanë kaluar nëpër komisione. Këtë shoqëri deri më tani e kemi pasur të kapur nga këto lloje temash. Duhet të ecim përpara edhe me trajtimin e llojit të diskutimit. Deri tani gjithçka është lidhur me trajtimin mbi etnitë. Pra një shoqëri multientike që garanton disa të drejta shtesë për komunitetin serb. Na duhet një republikë që të gjithë, pavarësisht etnisë, i trajton të barabartë. Është ky një kapërcim kualitativ nga Lëvizja Vetëvendosje”.

“Nuk mund të them që Lëvizja Vetëvendosje është diçka që nuk është. Ajo është një lëvizje që ka prezantuar një program pune, me të cilin një pjesë prej nesh nuk jemi pajtuar dhe kemi krijuar një grup deputetësh, që shpresoj të jetë strumbullar i një subjekti politik i qendrës së majtë. Dallimi jonë lidhet me mënyrën e organizimit politik dhe mbi pozicionimin si qendër e majtë. Kemi nevojë për vlera që e bëjnë Kosovën republikë të të gjithë qytetarëve që jetojnë në të. Në Kosovë populizmi është bërë e vetmja mënyrë për të bërë politikë”.

“Ekonomia e bazuar në kërkesë ka dështuar. Ne duhet ta ndërtojmë një program ekonomik që bazohet në ofertë dhe të punojmë në ndërtimin e përparësive krahasuese”.

“Ne jemi duke u munduar të shpërfaqim një gamë politikash mbi republikën. Ne po mundohemi që t’ua shpegojmë qytetarëve pse ky opsion është i duhuri për zgjidhjen e problemeve politike. Besoj që kështu mund të ecim përpara në organizim të subjektit, normalisht me kohën. Me anë të këtyre nismave të organizohemi si subjekt që e ofron këtë ideologji të qendrës së majtë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme