Gërvalla dhe ambasadori i Zvicrës thirrje për respektim të masave anti-Covid-19

Prishtinë | 07 Pri 2021 | 17:46 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur sot në takim ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly.

Ministrja Gërvalla ka theksuar se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve janë të shkëlqyeshme dhe se do të vazhdohet edhe më tej me kultivimin e tyre në shumë sfera.

Në këtë kontekst, Ministrja e Jashtme ka përmendur edhe rolin e diasporës shqiptare, e cila është një urë lidhëse shumë e rëndësishme ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij zviceran.

Gërvalla ka falënderuar ambasadorin Kolly për mbështetjen e vazhdueshme që Zvicra i ka dhënë Kosovës, që prej periudhës së paraluftës e në vazhdimësi. Ajo ka thënë se shteti zviceran është një vend mik dhe partner strategjik i Republikës së Kosovës.

Në takim është diskutuar edhe për situatën me pandeminë dhe të dyja palët kanë theksuar nevojën e zbatimit të masave mbrojtëse. Ministrja Gërvalla ka thënë se kjo situatë kërkon solidaritet, ndaj ka shfaqur shpresën edhe në ndihmën e shteteve mike në mënyrë që Kosova, në një ta ardhme të afërt, të mund të sigurojë sasinë e vaksinave për të gjithë qytetarët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme