Gërvalla jep detaje pas takimit me ministrin e Jashtëm të Hungarisë Szijjarto

Prishtinë | 28 Shk 2022 | 19:34 | Nga Ekonomia Online

Ministrja Gërvalla takoi ministrin e Jashtëm të Hungarisë, z. Peter Szijjarto
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj.Donika Gërvalla, ka pritur sot në një vizitë zyrtare në Prishtinë, ministrin e Jashtëm dhe të Tregtisë të Hungarisë, Peter Szijjarto.

Ministrja Gërvalla dhe homolgu Szijjarto kanë biseduar rreth situatës së krijuar në Ukrainë, sanksionet për shtetin e Rusisë si dhe për stabilitetin rajonal.

Fjalimi i plotë:

Sot pata kënaqësinë të takohem dhe të bisedoj me homologun tim hungarez, ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë, z.Peter Szijjarto. E falënderova ministrin Szijjarto për rolin dhe kontributin që ka luajtur Hungaria si anëtare e BE-së dhe NATO-së, në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Republikën e Kosovës dhe në rajon. Ngrita në pah posaçërisht rolin e veçantë që Hungaria ka luajtur në kuadër të KFOR-it dhe iniciativës së Vishegradit. Biseduam edhe për bashkëpunimin ekonomik, tregtar dhe kulturor mes Kosovës dhe Hungarisë.

Rreth të gjithë spektrit të gjendjes së re të krijuar për shkak të agresionit të hapur të Rusisë ndaj Ukrainë folëm shumë hapur dhe shumë konkretisht.
Ndodhemi në kohë të vështirë, një epokë të re në Evropë. Invadimi i Federatës Ruse në Ukrainë, jo vetëm që është shkelje e së drejtës ndërkombëtare dhe katastrofë humanitare, por mbi të gjitha një krim lufte, i cili nuk mund të arsyetohet me asnjë prej pretendimeve të Federatës Ruse.

Kosova pa asnjë hezitim i është bashkëngjitur të gjitha sanksioneve të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Federatës Ruse, presidentit të saj Putin, ministrit të Jashtëm Lavrov dhe oligarkëve të shumtë që e mbështesin këtë regjim. Në koordinim të ngushtë me partnerët dhe aleatët tanë në NATO dhe BE, jemi duke i zbatuar këto sanksione.

Kemi biseduar edhe rreth fqinjit tonë të përbashkët: Serbia është fqinji verior i Republikës së Kosovës dhe fqinji jugor i Hungarisë. Nga homologu im kërkova që Hungaria, si anëtare e BE-së dhe NATO-s, dhe si shtet mik i Serbisë të angazhohet më konkretisht për një ndryshim të qasjes shumë agresive të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës.

Homologun tim e informova gjithashtu që jemi duke u ballafaquar me sulmet ruse në internet, me spiunazh dhe me sabotime të mundshme që vijnë nga Rusia përmes Serbisë. Shpresojmë që në situatën e re të krijuar, partnerët dhe aleatët tanë të marrin edhe më seriozisht kërcënimet e vazhdueshme të Rusisë dhe Serbisë ndaj Republikës së Kosovës.

Nga përvoja jonë e njohim mirë kërcënimin dhe luftën e imponuar nga një fqinj me synime hegjemoniste. Kujtimet nga lufta e fundit në Kosovë për ne janë ende shumë të freskëta.
Edhe Kosova kërcënohet nga fqinji i saj Serbia, ashtu siç është kërcënuar edhe Ukraina nga Putini;

  • Ashtu si Putini me Ukrainën, edhe Aleksandër Vuçiqi ia mohon Kosovës të drejtën për të ekzistuar;
  • Ashtu si Putini në Ukrainë, edhe Vuçiqi manipulon faktet historike dhe Kosovën e quan pjesë të përhershme të Serbisë;
  • Ashtu si Putini në Ukrainë, Vuçiqi gënjen dhe pretendon që po kryhen krime ndaj serbëve në Kosovë;
  • Ashtu si Putini në Ukrainë dhe Bjellorusi, Vuçiqi propagandon të drejtën e Serbisë për të dominuar rajonin.

Ne presim dhe kërkojmë që bashkësia ndërkombëtare të mos përsërisë me Vuçiqin, aleatin më të ngushtë të Rusisë në Ballkan, të njëjtat gabime që janë bërë në raport me Putinin.
Kërcënimet e hapura të Vuçiqit me luftë, armatimi i tij i skajshëm dhe militarizimi i Serbisë me ndihmën e Putinit, duhen vlerësuar drejt dhe duhet të marrin përgjigje të shpejtë dhe të merituar.

Askush në rajon nuk është duke e kërcënuar Serbinë, por Serbia po e kërcënon rajonin.
Serbia është shndërruar, e vetmuar, në vendin e vetëm në të cilin Rusia mund të operojë lirshëm financiarisht dhe ushtarakisht. Një qasje e tillë është në kundërshtim të hapur me qëndrimin e BE-së dhe NATO-s dhe rrezikon sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan.
Agresioni i hapur i Putinit në Ukrainë tregon hapur se çfarë ndodh kur injorohen në mënyrë konstante faktet dhe shenjat në horizont. Një gjë e tillë nuk do të mund të ndodhë më në etapën e re në të cilën kemi hyrë.

Në koordinim të ngushtë me SHBA-në, NATO-në dhe BE-në, jemi duke rritur vigjilencën dhe masat për sigurimin e kufijve tanë;
Siguria e Republikës së Kosovës dhe e qytetarëve të saj është në fokusin e partnerëve të saj, e në radhë të parë të SHBA-së. Kosova ka miq të fortë dhe trupat e NATO-s në vend. Prandaj, me plot siguri mund të themi që Kosova është e sigurt dhe që çdo ditë po punojmë që të mbetet e tillë.

Pas kësaj bisede me homologun hungarez, sot do të nisem për në Turqi, ku do të bashkëngjitem presidentes Osmani në takimet e saj me përfaqësues të rëndësishëm të këtij shteti anëtar të NATO-s.

Të gjitha përpjekjet tona i shërbejnë një qëllimi, mbrojtjes së paqes, lirisë dhe demokracisë në Evropë dhe në rajon. Për arritjen e këtij synimi luftojmë me të gjitha mundësitë tona dhe së bashku me shumë miq e aleatë të fortë.
I nderuar Peter Szijjarto, faleminderit shumë për vizitën dhe bisedën e hapur. Të punojmë që së bashku ta forcojmë edhe më shumë bashkëpunimin mes dy vendeve dhe dy popujve tanë.
Faleminderit shumë

Të ngjashme