Gërvalla me homologen suedeze flasin për bisedimet Kosovë-Serbi

Prishtinë | 09 Qer 2021 | 15:51 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës Donika Gërvalla, zhvilloi sot takim në formë virtuale me homologen e saj suedeze Ann Linde.

Ministrja Gërvalla, ka theksuar se Kosova dhe qytetarët e saj do të jenë përherë mirënjohës për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme që Suedia i ka ofruar Kosovës ndër vite.

Ajo ka veçuar kontributin e Suedisë përmes prezencës në KFOR dhe gjithashtu bashkëpunimin suedez për zhvillim.

Duke i vlerësuar të shkëlqyera raportet mes të dyja vendeve, Gërvalla ka njoftuar ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë me zhvillimet politike në vend si dhe prioritet e Qeverisë së re. Në këtë drejtim ministrja Gërvalla ka theksuar se prioritet mbetet forcimi i rendit dhe ligjit.

Temë diskutimi ishte thellimi i bashkëpunimit bilateral.

Palët diskutuan edhe për politikat e jashtme feministe dhe nevojën për të shkëmbyer përvojat në këtë drejtim dhe gjithashtu për të thelluar bashkëpunimin edhe në fushën e kulturës.

U fol edhe për diasporën shqiptare në Suedi, për çka u theksua se është mirë e integruar atje.

Po ashtu folën edhe për të ardhmen e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Të ngjashme