Gërvalla-Schwarz nuk komenton deklaratat e Prindon Sadriut – Nuk është pjesë e Listës Guxo

Prishtinë | 14 Shk 2022 | 14:17 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, ka dalë sot në një konferencë për medie pas regjistrimit të Listës Guxo si parti politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Me këtë rast, ajo është pyetur nga gazetarët për masat e mundshme disiplinore ndaj diplomatit Prindon Sadriu, bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, në lidhje me deklaratat e tij linçuese ndaj gazetarëve.

Gërvalla-Schwarz ka çuditur me përgjigjen. “Nuk e di që Zotëri Sadriu është pjesë e kësaj partie politike”, tha ajo.

“Sot ju kemi ftuar që së bashku me ju të shënojmë regjistrimin e partisë Guxo dhe të gjitha pyetjeve për mua si ministre e Jashtme më shumë kënaqësi do të mund të ju përgjigjem herën tjetër”, u përgjigj ajo.

Prindon Sadriu është pjesë e shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës, përkatësisht udhëheqës i Ambasadës në Shkup. Rregulloret dhe udhëzimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme ua ndalojnë ambasadorëve dhe udhëheqësve të misioneve të bëjnë komente dhe postime në rrjetet sociale, por këto rregulla duket se nuk vlejnë për “Zotëriun e Parë”.

Sadriu i cili është bashkëshorti i presidentes Osmani, edhe më herët ka bërë komente të papërshtatshme në faqen e tij në Facebook, por më eklatanti është një postim i bërë më 8 shkurt 2022, ku ai sulmon mediet dhe gazetarët e Kosovës, duke i quajtur “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale”. Reagimi tij erdhi pasi mediet publikuan shpenzimet e Vjosa Osmanit në emër të udhëtimit, në kohën kur ishte deputete Më vonë ai e ka fshirë postimin.

Ekonomia Online ka kërkuar sqarime nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) nëse do “të shqyrtohet” rasti i Sadriut. Zyrtarët për informim kanë thënë se ia “kanë përcjell kabinetit” pyetjet dhe se do të kthenin një përgjigje “brenda orës”. Por, ky dikaster nuk ka kthyer përgjigje as pas gjashtë ditësh.

Lista Guxo, të cilëm tash do ta udhëheqë Donika Gërvalla-Schwarz, është themeluar nga presidentja aktuale.

Bashkëshorti i presidentes Osmani, Prindon Sadriu, ka mbetur ushtrues detyre i udhëheqësit të Ambasadës së Kosovës në Shkup, pas shkarkimit të ambasadorit Gjergj Dedaj. Ai, po ashtu është pjesë e ushtarakëve rezervë të FSK-së dhe mban gradën nënkolonel.

Të ngjashme