Gërvalla zhvillon takime me homologët nga Austria dhe Bullgaria, flasin për të ardhmen e përbashkët evropiane

Prishtinë | 16 Nën 2021 | 19:05 | Nga Ekonomia Online

Në margjina të takimit të ministrave të jashtëm në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), që u zhvillua në Bruksel, ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, ka zhvilluar takime të ndara me homologët e saj nga Austria dhe Bullgaria.

Gjatë takimi që pati me ministrin Federal të Austrisë për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare, z. MichaelLinhart, diskutuan për bashkëpunimin e shkëlqyer në mes të dy vendeve dhe mundësitë e thellimit të partneritetit në fusha me interes të përbashkët, duke veçuar shkëmbimet mes të dyja ministrive të jashtme.

Temë diskutimi ishte edhe përmbushja e agjendës evropiane e Kosovës, dhe në këtë pikë ministrja Gërvalla mori rikonfirmimin e ministrit Linhart se Austria do ta mbështes Kosovën në të gjitha proceset, e me theks të veçantë për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Me këtë rast ministrja Gërvalla, duke e falënderuar ministrin Linhart për përkrahjen e parezervë, theksoi rëndësinë që kjo frymë mbështetëse të përcillet edhe tek shtetet skeptike të BE-së që po ndikojnë në zvarritjen e procesit të vizave.


Palët biseduan edhe për angazhimin e Kosovës për forcim të subjektivitetit ndërkombëtar si dhe bashkëpunimin rajonal.

Në takimin që mbajti me ministrin e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, z. SvetlanStoev, biseduan për politikë të jashtme, duke u fokusuar në zhvillimet rajonale dhe sfidat që po shoqërojnë vendet e Evropës Juglindore.

Dy homologët vlerësuan se është esenciale që të forcohet sundimi i ligjit dhe të luftohet korrupsioni në nivel rajonal. Gjithashtu diskutuan për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe rëndësinë e të pasurit progres në këtë drejtim.

Ministrja Gërvalla njëherëshe njoftoi kryediplomatinbullgar edhe me reformat që po ndërmarrin institucionet e Kosovës në drejtim të përmbushjes së agjendës evropiane.

Të ngjashme