Gërxhaliu: Nëse jemi të gatshëm të bisedojmë me djallin nga Serbia, pse jo me mësimdhënësit

Prishtinë | 03 Sht 2022 | 08:04 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Njohësi i çështjeve ekonomike në vend, Safet Gërxhaliu thotë se situata ekonomike dhe sociale në Kosovë është rënduar si pasojë e inflacionit dhe krizës energjetike. Si e tillë, Gërxhaliu thotë se ndalja e pagave për mësimdhënësit dhe punëtorët e administratës është e padrejtë, raporton Ekonomia Online.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës shton se është obligim institucional të mbështes qytetarin dhe punëtorët në këtë kohë kur ka ngritje të çmimeve të pa kontrolluar.

Shqetësuese tjetër për të është edhe mungesa e dialogut publiko-privat, për të cilën thotë se do duhej të kishte sidomos në këtë kohë të inflacionit.

“Në radhë të parë duhet kuptuar se Kosova është duke u ballafaquar në shumë sfida të shumta dhe definitivisht ajo që po më shqetëson më tepër mungesa e një dialogu konstruktiv publiko-privat. Rreziku më i madh i demokracisë është arroganca dhe distanca e pushtetit sepse në këtë kohë të inflacionit kur Kosova ka 19.2 për qind inflacion dhe besoj se është koha kur qytetarët ta shijojnë dorën e shtetit, kur duhet të ketë solidaritet por për fat të keq çdo gjë në Kosovë është e politizuar”, u shpreh Gërxhaliu.

“Është e vërtetë se e drejta e grevës është e garantuar me Kushtetutë, mirëpo besoj nuk mund të ketë paga selektive, nuk mund të ketë qasje të tillë që disa komuna të paguhen e disa të mospaguhen, dhe në këtë drejtim duhet një gjakftohtësi, dialog e tolerancë, dhe nxënësit të vendosën nëpër shkolla”, u shpreh Gërxhaliu.

Duke pasur parasysh që ekonomia vendëse përbëhet më shumë se nga konsumi, Gërxhaliu thotë se ndalja e këtyre mjeteve është shqetësuese. Ai thotë se ky problem nuk duhet shikuar vetëm në aspektin financiar por edhe emocional.

“Unë besoj se ndër shtyllat kryesore e cila po mbahet ekonomia e Kosovës është konsumi dhe në këtë kohë të inflacionit, vërtetë situata ekonomike kosovare dhe ajo sociale është mjaft shqetësuese. Ky problem nuk duhet të analizohet vetëm në aspektin financiar sepse kriza është këtu por të analizohet në aspektin emocional dhe psikologjik dhe ky është problemi më i madh që po anashkalohet kjo qasje. Me vet faktin se po cenohet arsimi, është një shenjë që në shtetin që cenohet arsimi, rrezikohet dhe varfërohet ardhmëria”, tha ai.

Teksa ka folur për grevën dhe mungesën e një dialogu ndërmjet palëve, Gërxhaliu thotë sesi është e mundur që të ketë dialog me Serbinë e jo me mësimdhënësit.

“Është koha kur vërtetë në momentet e caktuara e në veçanti në raportet e krijuara ndërmjet Arsimit dhe institucioneve të ngritën mbi interesat e partive politike, të ngritën mbi interesat e pushtetit dhe të jenë me qytetarë dhe me arsimin. Vetëm në këtë mënyrë mund ta zgjidhim sepse nëse ne jemi të gatshëm të bisedojmë me djallin nga Serbia, si është e mundur mos të kemi gatishmëri të bisedohet me mësimdhënësit që nëse asgjë nuk na lidh, e flasim një gjuhë dhe e promovojmë një shtet”, u shpreh Gërxhaliu.

Të ngjashme