Gjakova, Vitia, Drenasi, Rahoveci e Obiliqi festojnë Ditën e Çlirimit, uron Haradinaj

Prishtinë | 14 Qer 2020 | 09:24 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka uruar Ditën e Çlirimit për Vitinë, Drenasin, Rahovecin, Obiliqin e Gjakovën, që shënohet sot më 14 qershor.

Haradinaj, në një postim në Facebook, ka shkruar se Kosova po çlirohej qytet pas qyteti, duke shtuar se më 14 qershor u realizua ëndrra e shumë luftëtarëve të lirisë.

“Kosova po çlirohej qytet pas qyteti. Me 14 qershor 1999, u realizua ëndrra e luftëtarëve të brigadave 132 “Myrtë Zeneli”, 137 “Gjakova”, 134 “Bedri Shala”, 138 “Agim Ramadani”, 124 “Gani Paçarizi”, 114 “Fehmi Lladrovci” e 173 “Gursel e Bajram Sulejmani””, ka shkruar ai.

Haradinaj, ka thënë se shumë luftëtarë pritën lirinë, por shumë prej tyre u përjetësuan në betejat me armikun.

“Shumë nga ta, triumfues dhe krenarë, përjetuan ditën kur erdhi liria, e shumë të tjerë, ishin përjetësuar në betejat që ndaluan gjenocidin dhe mposhtën armikun. Përjetësisht të përkulur ndaj sakrificës së të rënëve! Përjetësisht falënderues për ndihmën e SHBA-ve dhe NATO-s në momentet më vendimtare për popullin tonë! Viti, Drenas, Rahovec, Obiliq e Gjakovë. Urime Dita e Çlirimit!”, ka shkruar Haradinaj në fund.

Të ngjashme