Gjashtë kandidatë në garë për Komisionerin/en e Agjencisë për Informim dhe Privatësi

Prishtinë | 03 Gus 2020 | 17:53 | Nga Ekonomia Online

Koalicioni ad-hoc i përbërë nga Lëvizja FOL, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, Grupi për Studime Politike dhe Juridike, Çohu, Instituti Demokratik i Kosovës, Flutura Kusari, Instituti GAP dhe Instituti D4D kanë vazhduar monitorimin e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për Komisioner/e në kuadër të Agjencisë për Informim dhe Privatësi. 

Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes i Kuvendit të Kosovës është në proces të përzgjedhjes së kandidatëve për Komisioner/e në kuadër të Agjencisë për Informim dhe Privatësi dhe gjatë javës së ka përzgjedhur kandidatët në listën e ngushtë. Kjo është hera e tretë që Kuvendi tenton
të përzgjedhë Komisionerin/en.

Gjashtë prej 12 aplikantëve të cilët janë përzgjedhur për intervistë janë: Bujar Sadiku, Enver Bujari, Jeton Oruqi, Krenare Sogojeva Dermaku, Muharrem Mustafa dhe Sadik Kryeziu. Përzgjedhja është bërë nga Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, asistuar nga projekti i financuar nga Ambasada Britanike.

“Ftojmë këtë Komision që edhe gjatë intervistimin e kandidatëve, vlerësimi i tyre të jetë i drejtë dhe i paanshëm, të cilën fazë të përzgjedhjes, koalicioni ad-hoc, do ta monitorojë poashtu. Poashtu, ftojmë këtë komision që t’i mundësojë organizatave joqeveritare dhe aktivistëve monitorimin e këtij procesi dhe t’i ofrojë atyre hapësirë të papenguar për të ushtruar rolin e tyre si mbikqyrës publikë”, thuhet në komunikatë.

“Duke ditur që me përzgjedhjen e Komisionerit do të fillon edhe zbatimi i dy ligjeve shumë me rëndësi siç janë Ligji për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, shpresojmë që në këtë pozitë të përzgjedhet një person kompetent, apolitik dhe me integritet të lartë moral dhe profesional”, thuhet më tej në komunikatë.

Të ngjashme