Gjermanët s’i duan rusët në dialogun Kosovë-Serbi, thonë se BE-ja është përgjegjëse për procesin

Prishtinë | 12 Maj 2020 | 17:55 | Nga Ekonomia Online

Nga Berlini i kanë rikujtuar Moskës zyrtare se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është përgjegjësi e Bashkimit Evropian. Kështu ka thënë për Gazetën Express një burim zyrtar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë i pyetur rreth gatishmërisë së Rusisë për t’u përfshirë në dialogun Prishtinë-Beograd nëse një gjë e tillë i kërkohet nga Serbia.

Ambasadori i Rusisë në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko, ka thënë se Moska është e gatshme që të përfshihet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë nëse një gjë e tillë kërkohet nga Serbia. Për një qëndrim të tillë të Moskës kanë folur edhe nga zyra e emisarit të Trumpit të cilët kanë thënë se “ kushdo që mund të kontribuojë me ide që ndihmojnë stabilitetin, paqen dhe të ardhmen e Kosovës e Serbisë është i mirëseardhur”.

Megjithatë, Gjermania si një prej shteteve anëtare më të fuqishme, rikujton që normalizimi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë është përgjegjësi e Bashkimit Evropian.

Një gjë të tillë ekskluzivisht për Gazetën Express e ka thënë një burim zyrtar brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

“Dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë është i rregulluar nën përkujdesjen e Bashkimit Evropian’, ka thënë ky burim zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë.

Për një gatishmëri të tillë të Moskës zyrtare ka folur edhe zëdhënësi i emisarit të Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.

Dick Custin zëdhënës i zyrës së Richard Grenell ka thënë se “kushdo që mund të kontribuojë me ide që ndihmojnë stabilitetin, paqen dhe të ardhmen e Kosovës e Serbisë është i mirëseardhur”.

Një kërkesë dhe dëshirë e tillë e Rusisë për përfshirje në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë është e kamotshme. Ambasadori rus në Beograd një gjë të tillë e ka përsëritur disa herë. Para pak ditëve madje ai ka thëne se fjalën finale për dialogun Kosovë-Serbi duhet ta thotë Këshilli i Sigurimit.

Megjithatë në Kosovë përfshirja e Rusisë në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradi kundërshtohet fuqishëm. Ish-kryengociatorja, Edita Tahiri, kohë më parë për Express kishte deklaruar se në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që Moska të bëhet pjesë e dialogut, pasi sipas saj një gjë e tillë vetëm do të bllokonte negociatat.

“Rusia nuk duhet të jetë pjesë e Dialogut të Brukselit sepse do ishte një faktor pengues për arritjen e marrëveshjes për fqinjësi paqësore mes Kosovës dhe Serbisë, ashtu sikurse ishte në Konferencën ndërkombëtare të Rambujesë dhe bisedimet për statusin në Vjenë”, kishte thënë Tahiri kur kishte folur rreth çështjes së përfshirjes së Rusisë në procesin e negociatave Prishtinë-Beograd.

Të ngjashme