Gjermania kërkon pezullimin e taksës për të zhbllokuar dialogun

Prishtinë | 12 Mar 2019 | 08:06 | Nga Ekonomia Online

Pezullimin e taksës prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina e kërkon edhe Gjermania. Burime të sigurta i kanë treguar “Kohës Ditore” se në takimet që zyrtarët gjermanë kanë pasur në Prishtinë, kanë ritheksuar qëndrimin e Berlinit se tarifat e vendosura ndaj mallrave të Serbisë po e pengojnë vazhdimin e dialogut dhe për këtë arsye ata kanë kërkuar që Qeveria e Kosovës t’i pezullojë ato.

Një gjë e tillë është theksuar në tri takimet që kanë pasur këshilltarët e kancelares Merkel, Jan Hecker dhe Matthias Luttenberg. Ata të hënën në mëngjes kanë pasur takime me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministrin Enver Hoxhaj, shkruan sot “Koha Ditore”.

Çështja e pezullimit të taksës është diskutuar veçanërisht në takim me kryeministrin Haradinaj, ka treguar burimi i “Kohës Ditore”, i cili ka folur me kusht të anonimitetit.

Sa i përket qëndrimit gjerman në lidhje me marrëveshjen gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi, burimet kanë thënë se pozicioni i shprehur disa herë nga kancelarja Merkel nuk ka ndryshuar – Berlini zyrtar është kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme