Gjini: Kurti po i bën favore Serbisë, mashtroi qytetarët duke ndryshuar qëndrime

Gjakovë | 03 Mar 2020 | 08:55 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Komunës së Gjakovës, njëherit edhe nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini tha se vendimi i kryeministrit Albin Kurti për të hequr tarifën për lëndën e parë për mallrat nga Serbia e Bosnja është vendim i gabuar.

Ai në një intervistë për Ekonomia Online tha se heqja e plotë e taksës me 1 prill është në favor që i bëhet pushtetit në Serbi.  Sipas Gjinit, Kosova nuk ka nevojë t’i bëjë favore Serbisë.

“Mendoj se e gjithë qasja është e gabuar, qasje që po provon me zënë një mes i cili nuk i shërben asgjëje. Tjetra është mendoj se po zgjedh edhe kohë e çuditshme, e kemi thënë ehe më herët. E dimë që më Serbi ka zgjedhje, e dimë që heqja e plotë e taksës me 1 prill është një favor që i bëhet pushtetit në Serbi. Nuk e di nëse Kosova ka nevojë me i bë favore pushtetit atje”, tha ai.

Gjini thotë se taksa ka ruajtur sovranitetin e Kosovës, kështu sipas tij, Qeveria Kurti po bën gabim.

“Qëndrimi ynë i Aleancës është i pastër se taksa e ka ruajtur sovranitetin e Kosovës, taksa është i vetmi mjet i punës të cilin Kosova e mban në duar për negociatat apo bisedimet të cilat priten te mbahen shumë shpejt po supozohet këtë vit. Kështu qe mendoj se qeveria Kurti po bën një gabim”, tha ai.

“Fillimisht AAK-ja e ka thirr një seance të jashtëzakonshme për këtë çështje dhe duhet të shohim se si do të rrjedh seanca dhe me çka do të dilet pas seancës. Nuk kemi vendim te qartë se çka do të bëjmë më të ardhmen, por gradualisht do të shohim”, tha ai

Sipas tij, Kurti ka ndryshuar qëndrimet e tij politike. Madje ai thotë se kjo qeverisje po përcillet me disa probleme.

“E para e punës po kanë ndryshuar qëndrimet. Në praktikë nëse qëndrimet ndryshojnë për mirë nuk ka diçka të keqe por në vetvete kjo përmban një mashtrim për shkak se nëse del në fushatë dhe thua elektoratit diçka tjetër e me diçka tjetër i fiton zgjedhjet edhe atëherë ndryshon e kemi një problem këtu. Kemi problem në  demokraci,  edhe kemi një problem sinqeritet kundrejt qytetarëve të cilët kanë votuar”, tha ai.

“Në anën tjetër po me duket që nisja e qeverisjes Kurti ka disa probleme. Është mirë për Kosovën që Qeveria Kurti të ketë sukses. Cilado Qeveri të ketë sukses. Nuk është mirë për vendin tonë që një Qeveri të dështojë. Sidoqoftë nisjen e shoh me disa probleme. Ka një energji të madhe për me gjetë atë që ka ekzistuar edhe me shit si sukses. Tani unë mendoj që Qeveria ka të drejte me i shkarkuar bordet me i marr këto vendime janë e drejtë e tyre”.

“Por, këtu duhet me qenë vendime anësore, nuk mundet me u thirr qeverisja si e suksesshme për shkak se po gjen diçka që e ka ndërtuar një qeveri paraprake, por synimi duhet me qene me ndërtuar diçka te re e nëse ndërtimi i asaj të resë nënkupton edhe çbërjen e disa strukturave që kanë ekzistuar, atëherë është krejt në rregull. Logjika është e njëjtë”, tha ai.

Një problem tjetër në qeverinë Kurti, është vonesa me miratimin e buxhetit për vitin 2020.

Gjithi thotë se kalimi i buxhetit do të ndihmonte edhe komunat edhe ministritë për t’i zhvilluar  procedurat e prokurimit.

“Tani nëse me këtë energji mund të ndërtojë diçka unë nuk e di. Çështja tjetër është vonesa me buxhet. Qeveria Kurti ka pasur të gjitha mundësitë me rregulluar buxhetin në qershor për gjitha projektet të cilat nuk ka besuar që duhet të zhvillohen. Ndërsa për të kaluar buxhetin më shpejt i kish lejuar edhe komunat edhe ministritë me zhvillu procedura te prokurimit, procedura të nisjes së punëve. Tani kjo vonesë neve na shkakton probleme shumë të mëdha, jo vetëm neve ne komuna por edhe vetë qeverisë për shkak se njësitë buxhetore nuk mund t’i nisin procedurat e prokurimit”.

“Mos nisja e procedurave te prokurimit me ankesa të mundshme na shtyn fillimin e projekteve të vitit 2020 diku qershor, korrik ndoshta edhe në gusht. Kjo do të thotë se ky vit buxhetor do të dëmtohet seriozisht po në të njëjtën kohë do të dëmtohet edhe viti 2021 për shkak se në 2021 duhet të bëjmë shumë bartje edhe s’mund të hyjmë në projekte te reja”, tha ai.

“Zgjidhja ka qenë shume e thjeshtë me kaluar buxhetin, mos me i prokuruar ose me i ndal projektet të cilat ata kanë besuar që nuk janë të duhurat  dhe në qershor me rishikuar. Duke provuar që të kontrolloj gjithçka, ai gjithçka po e prishin rrugën e vet përpara. Ka pa qeverisje edhe në nivel lokal edhe qendror të cilat në fillim kanë bërë kësi lloj gabime edhe me këto gabime përcillen qeverisja sado që zgjat edhe nëse zgjat katër vite ka me u përcjell me këtë nisje problematikë”, u shpreh ai.

Të ngjashme