Gjini shkarkon Luan Dinajn, ky i fundit thotë se u kërkua nga Fazli Hoxha pa miratim të degës së Nismas në Gjakovë

Prishtinë | 17 Kor 2020 | 10:55 | Nga Ekonomia Online

Ish-drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Gjakovës, Luan Dinaj, është shkarkuar nga ky post me vendim të kryetarit Ardian Gjini. Dinaj thotë se shkarkimi i tij nuk erdhi si pasojë e mospunës por si kërkesë e kryetarit të Degës së Nisma Socialdemokrate në Gjakovë, Fazli Hoxha.

Këtë të fundit, Dinaj e quan kryetar të ashtuquajtur, teksa thotë se propozimi për shkarkimin e tij, nuk ka kaluar as nëpër Organet e Degës se Nismës në Gjakovë.

Statusi i plotë i tij:

Të nderuar qytetarë të Komunës të Gjakovës, dhe ju aktivistë të Nisma Socialdemokrate, Dega në Gjakovë, Ju njoftoj se sot jam liruar nga detyra e drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Gjakovës, me vendim të kryetarit Ardian Gjini. Ky lirim nga detyra e drejtorit, ka ardhur me propozim të ashtuquajturit kryetar i Degës se Nisma Socialdemokrate në Gjakovë, Fazli Hoxha, i cili pa miratimin e kryetarit Limaj dhe të Kryesisë Qendrore të Nisma Socialdemokrate, e ka ndërmarr këtë veprim skandaloz dhe të pa pranueshëm. Po ashtu, propozimi për lirimin tim, nuk ka kaluar as nëpër Organet e Degës se Nismës në Gjakovë. Kjo tregon seriozitetin e kryetarit të ashtuquajtur të Degës se Nismës në Gjakovë Fazli Hoxha.

Të dashur qytetarë të Gjakovës, struktura të Nisma Socialdemokrate, unë mbetem besnik i rrugës politike të liderit Limaj, i cili me punë dhe angazhime ka treguar seriozitet karshi institucioneve dhe vendit tonë të çmuar. Gjatë kësaj kohe sa kam udhëhequr me Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Gjakovës, jam munduar që me gjithë qenien dhe kapacitetet e mia të jap maksimumin në kryerjen e detyrave. Për këtë dua të falënderoi gjithë stafin e drejtorisë, të cilët edhe pse në kushte jo të mira, kemi arritur të bëjmë shumë punë të mira. Për bashkëpunim dhe koordinim të punëve, dua të falënderoj kryetarin,kuvendin dhe gjithë kolegët drejtor. Ditëve në vijim, veprimet e gjithsecilit nga ne, do të tregojnë arsyet e vërteta të lirimit tim nga detyra e drejtorit. Për sukseset e mia në punën time i jam mirënjohës Nisma Socialdemokrate dhe kryetarit Fatmir Limaj, i cili çdo herë ka qenë krah meje.

Po ashtu dua të falënderoj strukturat e degës në Gjakovë të Nisma Socialdemokrate, të cilat pa dashje kanë në krye të saj një “kryetar” i cili gjithë ka shikuar interesin e tij personal, se sa të subjektit tonë. Në fund, dua të falënderoj familjen time për përkrahjen që me ka dhënë në çdo hap të jetës.

Sinqerisht: Luan Dinaj

Të ngjashme