Gjoshi: PDK-ja shkëput çdo komunikim me RTV Dukagjinin

Prishtinë | 21 Jan 2021 | 15:17 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i shtabit të PDK-së, njëherësh anëtari i kryesisë, Betim Gjoshi përmes një konference për media ka njoftuar se Partia Demokratike e Kosovës nga sot e ka shkëputur çdo komunikim me TV Dukagjinin dhe çdo platformë mediale që është në pronësi të Ekrem Llukës, raporton Ekonomia Online.

Gjoshi ka thënë se zyrtarët e PDK-së nga sot nuk do të marrin pjesë në asnjë debat politik të Radiotelevizionit Dukagjini, i cili ka kohë që është shndërruar në zyre të propagandës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Albin Kurtit, por tashmë e ka arritur kulmin.

Duke falënderuar të gjitha mediat në Kosovë, të cilat po vazhdojnë ta ruajnë korrektësinë, etikën mediale dhe raportimin objektiv, Gjoshi ka theksuar se Partia Demokratike e Kosovs nuk do të heshtë më përballë manipulimeve mediale dhe presionit të pronarëve të tyre, që për shkak të marrëveshjeve të pista biznesore abuzojnë me hapësirën publike, duke u bërë mjet propagandues të Albin Kurtit, përfshirë këtu specifikisht televizionin e Ekrem Llukës.

“Për ta mbështetur këtë që po e themi, ju njoftojmë se personi përgjegjës për menaxhimin e rrjeteve sociale të televizionit Dukagjini, me inicialet H.S., është person përgjegjës edhe për menaxhimin e rrjeteve sociale të Lëvizjes Vetëvendosje. Pra, llogaritë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të televizionit Dukagjini menaxhohen nga i njëjti ekip, nga e njëjta zyre dhe me të njëjtat pajisje.”, ka thënë ai.

Për më tepër, lexojeni fjalimin e plotë të Gjoshit:

Të nderuar gazetarë,

Faleminderit që keni ardhur.

Ju kemi thirrur në këtë konferencë për t’ju njoftuar që Partia Demokratike e Kosovës nga sot e ka shkëputur çdo komunikim me TV Dukagjinin dhe me çdo platformë mediale që është në pronësi të oligarkut të të gjitha sistemeve, të para dhe pas luftës në Kosovë, Ekrem Llukës.

Nga sot, asnjë përfaqësues i PDK-së nuk do të marrë pjesë në asnjë debat politik apo çfarëdo emisioni tjetër në këtë televizion propagandues dhe manipulues. Përjashtim bëjnë vetëm ato debate që tashmë janë xhiruar gjatë ditëve të kaluara.

Radiotelevizioni Dukagjini ka kohë që është shndërruar në zyre të propagandës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Albin Kurtit, por kjo gjë tashmë e ka arritur kulmin.

Ekrem Lluka dhe Albin Kurti janë bërë bashkë, krejt e njëjtë, të pandashëm dhe të bashkuar krejtësisht për qëllime të pista dhe biznesore. Për ta mbështetur këtë që po e themi, do të shpalosim ditëve në vijim dëshmi të mjaftueshme.

Sa për fillim, sot ju njoftojmë se personi përgjegjës për menaxhimin e rrjeteve sociale të televizionit Dukagjini, me inicialet H. S., është i njëjti person përgjegjës edhe për menaxhimin e rrjeteve sociale të Lëvizjes Vetëvendosje. Pra, llogaritë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të televizionit Dukagjini menaxhohen nga i njëjti person, i njëjti ekip, nga e njëjta zyre dhe me të njëjtat pajisje.

Kjo dëshmon për koordinim të ngushtë të tyre, deri në detaje, për propagandim politik, që njëkohësisht është edhe koordinim i afërt i Ekrem Llukës me Albin Kurtin.

Ky koordinim po bëhet me të njëjtin qëllim: manipulim, mashtrim dhe trillim, në funksion të propagandës për Vetëvendosjen dhe këtë fakt duhet ta dinë të gjithë qytetarët e vendit tonë.

Në funksion të kësaj shkojnë edhe sondazhet e dizajnuara nga Albin Kurti me Armend Mujën, rrogëtarin e deridjeshëm të oligarkut Ekrem Lluka, të cilët duket se e kanë kapur së bashku edhe Kolegjin Riinvest dhe financuesit e tij, duke i instrumentalizuar tërësisht për qëllimet e tyre politike.

Duke u bazuar në të gjitha këto, Partia Demokratike e Kosovës i fton të gjithë qytetarët që të rrinë larg ekraneve të TV Dukagjinit dhe t’i shmangen propagandës së paskrupullt të tyre.

Shndërrimi i mediave në instrumente të propagandës partiake është praktikë e diktatorëve autoritarë dhe sitemeve totalitare që kanë qëllim final shkatërrimin e demokracisë. Por, këtë qëllim të Albin Kurtit e të Ekrem Llukës ne s’do ta lejojmë që të jetësohet kurrë!

Për arsyet e koordinimit të afërt të oligarkut Ekrem Lluka dhe Albin Kurtit, ne do të flasim edhe ditëve të ardhshme, duke zbuluar gjithçka që qëndron pas këtij pazari.

Qytetarët e vendit tonë e dinë që biografia e oligarkut Ekrem Lluka është shumë misterioze dhe ka shumë pikëpyetje.

Por, megjithatë, Ekrem Lluka duhet t’u japë përgjigje të gjitha këtyre pikëpyetjeve, përfshirë deklaratat që tash e 25 vjet qarkullojnë në Kosovë, se ai ka qenë i vetmi shqiptar pjesëmarrës në dasmën e kriminelit famëkeq serb, Arkanit, në vitin 1995, duke u bërë krushk i tij. Për këtë e për shumë pyetje të tjera, përgjigjet ekzistojnë dhe ato duhet t’i dijnë të gjithë.

Por, para së gjithash, ai duhet të japë përgjigje sot edhe për qëllimet dhe pazaret që e lidhin me Albin Kurtin, të cilat e kanë dërguar atë në prehërin e tij.

Partia Demokratike e Kosovës e çmon dhe e vlerëson lart lirinë e fjalës dhe pavarësinë e mediave. Po ashtu, jemi mirënjohës për panelistët dhe gazetarët që po vazhdojnë të ruajnë korrektësinë profesionale dhe paanshmrinë e tyre.

Si gjithmonë, Partia Demokratike e Kosovës do të jetë bashkëpunuese me të gjitha mediat e pavarura, duke e vlerësuar lart mendimin kritik, si vlerë e rëndësishme demokratike. Por, asnjëherë nuk do t’i pranojë dhe nuk do të heshtë para manipulimeve si këto të llojit të TV Dukagjinit.

Po ashtu, si subjekt politik i bëjmë thirrje Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe Komisionit të Pavarur të Mediave, që ta dënojnë maskimin e TV Dukagjinit, këtij instrumenti të propagandës së Vetëvendosjes, si media e pavarur.

Juve ju falënderoj për mbulimin e aktiviteteve tona, për bashkëpunimin dhe për raportimin korrekt që keni pasur deri më tash.

Mirë u pafshim në konferencat e ardhshme!

Lexo më shumë:

Të ngjashme