Gjykata Kushtetuese: Thaçi nuk e shkeli Kushtetutën

Prishtinë | 22 Pri 2020 | 19:31 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Kushtetuese iu është përgjigjur kërkesës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kishin pretenduar se Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka shkelur Kushtetutën e vendit, kur është deklaruar para mediave për situatën e COVID-19 dhe ishte kundër vendimit të qeverisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.

Në komentet e Gjykatës Kushtetuese ndër të tjera thuhet se Presidenti ka qenë në tërësi në përputhje me fushëveprimin kushtetues dhe kompetencat e presidentit, veçanërisht duke pasur parasysh nenin 4 paragrafi 3, nenin 83 dhe nenin 84 paragrafi 2 të Kushtetutës.

IndeksOnline ka siguruar ekskluzivisht të gjitha dokumentet në këtë rast dhe komentet të cilat i ka dhënë Gjykata Kushtetuese e të cilat janë që të gjitha në favor të presidentit Thaçi.

Gjykata po ashtu i është lutur Kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani që këto përgjigje t’ua shpërndajë të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Komente lidhur me Rastin KO56/20 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës:

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (parashtruesit e kërkesës), në kërkesën e tyre, në rastin KO56/20, pretendojnë që Presidenti i Republikës së Kosovës, ka bërë shkelje serioze të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në kuadër të argumenteve, në përgjigje të kërkesës në rastin KO56/20 duhet pasur parasysh rolin e Presidentit sipas Kushtetutës, si dhe kompetencat e tij që përcaktohen në nenin 84 si dhe në nenet tjera të Kushtetutës. Të gjitha këto nene paraqesin tërësinë e rolit që ka Presidenti në sistemin kushtetues të Kosovës, i bazuar para se gjithash në Kushtetutë, por edhe në praktikën e Gjykatës Kushtetuese.

Para se të komentohen pretendimet e parashtruesve të kërkesës në rastin KO56/20, si dhe deklaratat publike e Presidentit, në konferencën për media të datës 23.03.2020, të cilën parashtruesit e kërkesës pretendojnë se gjoja kjo deklaratë përbën shkelje serioze të Kushtetutës, duhet komentuar edhe veprimet paraprake të Presidentit, para mbajtjes së kësaj konference, po edhe vetë qëllimin e konferencës dhe deklaratave të dhëna nga presidenti. Këtu duhet pasur parasysh rrjedhën e veprime të Presidentit si tërësi dhe jo vetëm një deklaratë të shkëputur nga konferenca për media që i referohen parashtruesit e kërkesës.

Konferenca e Presidentit e mbajtur me datën 23.03.2020 dhe deklarimet e Presidentit gjatë kësaj konference kanë qenë në tërësi në përputhje me fushëveprimin kushtetues dhe kompetencat e presidenti, veçanërisht duke pasur parasysh nenin 4 paragrafi 3, nenin 83 dhe nenin 84 paragrafi 2 të Kushtetutës.

Presidenti duke pasur parasysh se është përfaqësues i unitetit të popullit, i njëjti para gjithash duhet pasur parasysh interesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe komunitetet jo shumicë, siç përcaktohen në Kushtetutë.

Duke pasur parasysh interesin qytetar, pikërisht në kohën kur e gjithë bota po përballet me pandeminë COVID 19, Presidenti ka ndërmarrë veprime të rëndësishme me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve nga pandemia, por edhe më gjerë.

Të ngjashme