Gjykata Speciale në Kuvend para 20 janarit, VV do të qëndrojë në sallë

Prishtinë | 02 Jan 2018 | 15:40 | Nga

Treshja udhëheqëse e vendit, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli nuk kane hequr dorë nga shfuqizimi i Gjykatës Speciale.

Burime të Gazetës Blic brenda koalicionit qeverisës kanë bërë të ditur se qysh me rifillimin e punës së Kuvendit, do të tentohet shfuqizimi i Gjykatës Speciale.

“Para datës 20 janar do të shkojë në Kuvend projektligji i cili do ta shfuqizoj këtë gjykatë. Thaçi, Veseli e Haradinaj nuk kanë hequr dorë nga ky synim”, tha ky burim i Gazetës Blic.

Ndërkohë merret vesh se VV-ja nuk do ta pengojë këtë proces.

“Deputetët e VV-së do të qëndrojnë në sallë dhe nuk do ta pengojnë shfuqizimin e kësaj gjykate”, tha një burim i paemërtuar.

Para 10 ditësh, 43 deputetë kishin mbledhur nënshkrimet për thirrjen e një seancë të jashtëzakonshme ku do të shfuqizohej kjo gjykatë. Thirrjes së kësaj seance të jashtëzakonshme i kishte paraprirë një peticion i nisur nga shoqatat e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Megjithatë, më 23 dhjetor kishte dështuar mbajtja e kësaj seance, për faktin që VV dhe LDK e bojkotuan mbledhjen e Kryesisë, duke pamundësuar kuorumin, dhe kësisoj thirrjen e seancës.

Ky hap i liderëve të vendit për shfuqizimin e Gjykatës Speciale kishte nxitur reagime të shumta ndërkombëtare.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Delawie ka theksuar se ky veprim i liderëve të vendit është thikë pas shpine ndaj SHBA-ve. Edhe me i ashpër ishte ambasadori britanik, O’Conel, i cili veprimin e liderëve të vendit për shfuqizimin e Speciales e ka quajtur si natën më të rëndë për Kosovën që nga lufta.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se kjo gjykatë do të ishte ngarkesë për Kosovën dhe do ta dëmtonte imazhin e vendit.

“Kosova ka qenë dhe mbetet vend shembullor për respektimin e ligjit nacional dhe ndërkombëtar, e kemi dëshmuar në kohë të OKB-së, në Hagë, e tash edhe të EULEX-it. Edhe një gjykatë është ngarkesë për Kosovën dhe një planin e jashtëm e dëmton imzhin e vendit”, tha Ramush Haradinaj.

Në anën tjetër, presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se asnjë iniciativë e qytetarëve dhe deputetëve që është në përputhje me Kushtetutën nuk është përplasje me bashkësinë ndërkombëtare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme