GLPS: Shkëmbimi i territoreve e kushtëzon shtetësinë e Kosovës

Prishtinë | 25 Gus 2018 | 11:28 | Nga Besjana Bajrami

Korrigjimi i territoreve mund ta vë në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës.

Kështu u tha në prezantimin e përfundimeve nga studimi me temën “Kush po e përcakton agjendën e bisedimeve? Shënime për idenë e korrigjimit dhe shkëmbimit të territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Përparim Kryeziu, hulumtues nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) , tha se korrigjimi i territorit vë në diskutim veriun e Kosovës, derisa pohoi se korrigjimi i territoreve kushtëzon shtetësinë e vendit, raporton Ekonomia Online.

“Raporti konstaton se shkëmbimi apo korrigjimi i territoreve kushtëzon shtetësinë e Kosovës. Shkëmbimi i këtyre territoreve i jep Serbisë fjalën e fundit. E ardhmja e Kosovës kushtëzohet nga vendimi i Serbisë për ta njohur apo jo Kosovën”.

“Diskutimi për këto çështje mund të na çoj drejt një kompromisi të dhimbshëm. Kosova nuk guxon të pranojë njohje tjetër, përveç njohjes faktike që e detyron Serbinë ta njohë Kosovën si shtet i pavarur. Çdo formë tjetër e njohjes nuk ia mundëson Kosovës anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Korrigjimi i territorit vë në diskutim edhe veriun e vendit dhe Asociacionin mund ta kthejë me kompetenca ekzekutive”, theksoi Kryeziu.

Kryeziu, më tutje, deklaroi se Kosova ka gabuar që është futur në dialog me Serbinë pa kushte.

“Gabimi i Kosovës ka qenë përfshirja në dialog pa kritere. Kosova ka hyrë në bisedim pa pasur për qëllim primar njohjen e Kosovës nga Serbia”, tha Kryeziu, raporton Ekonomia Online.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme