GLSP-ja tregon hapat për formimin e Qeverisë: Kurti një shanse, VV-ja dy

Prishtinë | 20 Jan 2020 | 15:59 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka shpjeguar hapat e mëtutjeshëm që duhet ndjekur për formimin  e qeverisë, pas dërgimit të dekretit presidencial në Kuvend me emrin e mandatarit për formimin e qeverisë.

Drejtoresha ekzekutive, Arbresha Loxha, ka thënë për Ekonomia Online se që nga sot, i mbesin 15 ditë kohë Kurtit për t’i siguruar 61 vota për të formuar qeverinë.

“Fillimisht duhet theksuar se afatet kushtetuese aktivizohen vetëm atëherë kur Presidenti i vendit dekreton mandatarin për të formuar qeverinë, i cili natyrisht sipas Kushtetutës, duhet të vij nga subjekti fitues i zgjedhjeve, pra i takon ekskluzivisht subjektit fitues. Sot, zotri Kurti e bëri të ditur se do të propozojë mandatarin Lëvizja Vetëvendosje dhe sot presidenti i vendit Hashim Thaçi e ka dekretuar Kurtin si mandatar për të formuar qeverinë e Kosovës. Tash, Kurti ka 15 ditë afat që të bëjë propozimin e përbërjes së qeverisë para Kuvendit dhe Kuvendi ta votojë propozimin e Kurtit për Qeveri. Në qoftëse, propozimi i tij rezulton të jetë i pasuksesshëm në Kuvend, atëherë hapet rruga për mandatarin e dytë”, ka thënë ajo.

Loxha ka thënë se Presidenti nuk ka diskrecion që mandatin t’ia jap partisë tjetër, mirëpo, ajo ka thënë se edhe në mundësinë e dytë, VV-ja mund ta propozojë mandatarin e saj, por jo emrin e njëjtë, që këtë rast është Albin Kurti. 

“Presidenti i vendit, ndonëse me një rol pak më aktiv, përsëri nuk ka asnjë diskrecion që me vetiniciativë t’ia jep mandatin një mandatari tjetër, mirëpo, duhet theksuar që nuk përjashtohet mundësia që edhe mandatarin e dytë të vij nga Lëvizja Vetëvendosje, por jo më të jetë emri i njëjtë (Albin Kurti), pra duhet të kemi një mandatar tjetër por që nuk përjashtohet që i njëjti propozim të vijë nga VV-ja. Brenda dhjetë ditëve i takon presidentit që të dekretojë mandatarin e dytë, por që presidenti nuk mund të zgjedhë se kujt t’i jap mandatin”.

“Kjo determinohet nga shumica parlamentare në Kuvend, sepse secili mandatar përfshirë edhe Kurtin, i nevojiten 61 vota për t’i votuar qeveria. Në mandatin e dytë janë dhjetë ditë që të vij propozimi për mandatarin e dytë, por që në asnjë mënyrë nuk ka përjashtim që VV-ja, si subjekt fitues të mos mund të dërgojë edhe mandatarin e dytë, pra i takon edhe njëherë mundësia që të propozojë mandatarin”, ka thënë ajo.

Nëse edhe mandatari i dytë dështon, Loxha ka thënë se presidenti i vendit është i obliguar që t’i shpallë zgjedhjet e reja dhe ato të mbahen jo më vonë se 45 ditë.

Të ngjashme