Gorani: Osmani ka zgjedhur të operojë sipas modelit të Atifete Jahjagës

Prishtinë | 07 Pri 2022 | 22:21 | Nga Ekonomia Online

Analisti Dukagjin Gorani, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani ka zgjedh të veprojë sipas modelit që dikur kishte ndjekur ish-presidentja Atifete Jahjaga. Kjo sipas Goranit, pasi Osmani po ndjek vetëm agjendën e saj, duke vepruar e shkëputur “nga zhvillimet e nga dinamika e skenës qoftë politike e qoftë shoqërore”.

Gorani thotë se presidentja zgjodhi heshtjen përballë temat aktuale, përfshirë projektligjin për Kodin Civil, i cili nuk u miratua në Kuvendin e Kosovës.

“Presidentja Osmani e ka zgjedh pozicionin e një indiference solemne. Pra ajo është në mënyrë solemne indiferente ndaj asaj që po ndodh në shoqërinë tonë. Ajo po merret me agjendën e vetë. Pra sot e ka agjendë turneun nëpër Kosovë, nesër mundet me pas agjendë pjesëmarrjen në ndonjë konferencë shumëditore siç ka qenë ajo në Turqi e më vonë në Katar, mirëpo kjo ta prodhon modelin e presidentit që ka ekzistuar edhe më herët te na, e ai është modeli i presidentes Jahjaga, e cila ka qenë korrekte, ka qenë burokratikisht ka qenë e saktë edhe funksionale, mirëpo totalisht e shkëputur nga zhvillimet e nga dinamika e skenës qoftë politike e qoftë shoqërore”, tha Gorani në T7.

“Unë mendoj se prej krejt modeleve të mundshme të cilat s’do mend me siguri i ka analizuar presidentja Osmani, si duket e ka konstatuar se modeli i sjelljes si presidentja Jahjaga duket të jetë modeli më i dobishëm për të dhe më konformist e ajo është se ti e vazhdon një agjendë tënden ceremoniale edhe e mëson publikun që të mos llogarit shumë në deklarimin tënd dhe të mos pres shumë në deklarim prej teje meqenëse s’e ki ndërmend edhe ashtu me deklaru kurgjo. Këto dy-tri situata e sidomos kjo e Kodit Civil e që do të vjen përsëri në tavolinë, do ta dëshmon që pas një analizimi të caktuar të situatës, ajo qartazi ka vendosur që të neutralizojë veten prej dinamikës shoqërore”, shpjegoi ai.

Osmani ka nisur këtë javë edhe turneun nëpër komunat e vendit.

“Turneu nëpër Kosovë është ndër përpjekjet më të thjeshta ose ndër më të lehtat për me mirëmbajt një prani publike pa e bërë ndonjë vepër ose pa e kry ndonjë punë të madhe. Tash kemi me pa presidenten nëpër Gjakovë, Pejë, Prizren, Mitrovicë edhe kemi me i shpenzuar 7-8 ditë gjithmonë duke qenë e pranishme në lajme, në TV”, tha ai.

Të ngjashme