Grabovci flet për përgjimet, duan të më eliminojnë politikisht

Prishtinë | 01 Gus 2016 | 14:21 | Nga

Adem Grabovci, personazhi kryesor i përgjimeve të publikuara sot, ka thënë se nuk shqetësohet nga kjo situatë dhe se ndihet i pastër.

Në një bisedë për Zeri.info, Grabovci ka thënë se këto janë tendenca për eliminime politike të cilat i lidh me situatat të UDB-së.

“Shiko kjo mua më rikujton kohën kur më kanë arrestuar UDB-ja jugosllave kur më kishin akuzuar për veprat e mira për të mirën e vendit në vitin 1984 . Më patën bërë akuza të rënda dhe kur i lexoja në burg mendoja kush është ky njeri. Edhe tash po ndodhë e njëjta gjë, nuk është shumë e panjohur. Tendenca për të eliminuar njerëz është shumë e madhe”, ka thënë Grabovci.

Ai ka thënë se nuk u frikësohet këtyre gjërave dhe se është i gatshëm të përballet me drejtësinë në momentin e parë që rikthehet në Kosovë.

“Nuk ju frikësohem këtyre gjërave. Unë jam i gatshëm t’i përgjigjem drejtësisë në çdo kohë dhe në mënyrë, dhe nëse vërtetohet se i kam shkel të drejtat e vendit do të jap përgjegjësi”, ka thënë Grabovci.

Krejt në fund, Grabovci ka akuzuar edhe EULEX-i për mënyrën e trajtimit të këtij rasti dhe ka premtuar se si të kthehet në Kosovë do të marrë masa ligjore në këtë drejtim.
“Për momentin jam jashtë vendit dhe në momentin kur do të kthehem në Kosovë unë do të marr të gjitha masat e kësaj çështje, sepse EULEX nuk ka të drejtë të përgjohet në këtë mënyrë”, ka përfunduar Adem Grabovci.

Në audio-incizimet e Adem Grabovcit të publikuara sot nga Insajderi, shefi I grupit parlamentar të PDK-së duket të jetë njeriu që mban gjallë fuqinë në prapaskenë të partisë më të madhe në vend. Ai dëgjohet derisa koordinon të gjitha aktivitete e paligjshme të partisë. I luten të gjithë për kryerjen e favoreve, dhe u nënshtrohet vetëm Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme