Gratë deputete propozojnë vetën për t’i udhëhequr grupet punuese

Prishtinë | 30 Jan 2019 | 10:26 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, ka shqyrtuar draft-planin e punës për vitin 2019-të, raporton Ekonomia Online.

Ky draft-plan u votua nga anëtarët e komisionit me 7 vota për dhe asnjë kundër.

Tek pika e fundit e rendit të ditës kishte një mos dakordim për udhëheqjen e grupit punues për shënimin e ditës së personave të pagjetur.

Në komisionin e kaluar kishte propozim nga anëtarët që këtë grup ta udhëhiqte deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, por aty me propozim të ri erdhi deputetja nga radhët e AAK-së Teuta Haxhiu.

Ajo kërkoi që ta udhëheqë vetë grupin punues për personat e pagjetur.

“Është një preukopim i të gjithëve dhe dua të jem pjesë e ekipit të ngushtë që merret me personat e pagjetur, dua që grupin ta udhëheq unë”, tha ajo.

Edhe deputetja e PDK-së, Mexhide Mjaku, kërkoi që ajo të udhëheqë grupin punues për dhunën në familje.

“Derisa kam inicu ligjin për dhunën në familje atëherë unë dua të jem kryesuese e asaj pune. Tek personat e pagjetur duhet të kemi një grup punues që e shtyjmë këtë çështje përpara pra çështjen e të pagjeturve. Kur kemi pasë ftesa prej komisionit jemi nda në pozicione se kush ka mund të jetë prezent. Është e vështirë të themi se kush është për Sarandën ose Teutën. Për udhëheqjen e grupit punues duhet të jetë Saranda pasi që duhet të jemi më të shpejtë”, tha ajo, raporton EO.

Ndërsa deputetja e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci, nuk pati kundërshtime rreth kërkesës së Haxhiut.

“Nëse Teuta dëshiron të jetë udhëheqëse e grupit punues atëherë le të mbet ajo. Ideja është vetëm të kemi këtë grup, ta dërgojmë çështjen përpara”, tha ajo.

E deputetja Haxhiu u kthye tek çështja e grave të dhunuara gjatë luftës. Ajo tha se ato janë të neglizhuara nga shteti pasi që aplikimet dhe kërkesat e tyre nuk po merren parasysh .

“Është problemi në trajtimin e kërkesave në kuadër të grave të dhunuara në kuadër të ministrisë dhe është një neglizhencë e madhe. Ne po mundoheni t’i paraqesim gratë që janë të dhunuara nga lufta, por ka që 9 muaj që nuk trajtohen rastet për gratë e dhunuara. Ne si bord kemi lënë të hënën një takim, por duhet të jetë edhe komisioni aty pasi që është në interes të tyre. Për këtë çështje kam shtruar kërkesë, por nuk kemi marrë përgjigje. Kam inicu ligjin për mbrojtjen nga dhuna në familje për ta plotësuar dhe ndryshuar, dua që sot të fillon grupi punues me punë, në mënyrë që të mos mbetemi mbrapa me procedura”, tha ajo.

Të ngjashme