Grenell i thotë BE-së: Çështja e vizave për Kosovën të zgjidhet më 10 korrik

Prishtinë | 08 Kor 2020 | 16:42 | Nga Ekonomia Online

Emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se takimi i 10 korrikut i ndërmjetësuar nga BE, duhet të përfundojë me heqjen e vizave për qytetarët Kosovës.

Grenell thotë se nisma e Evropës ka mbështetjen e plotë të SHBA’së dhe se është i lumtur teksa sheh evropianët që po organizojnë Videosamitin e Parisit më 10 korrik dhe takimin e nivelit të lartë në mes të Kosovës dhe Serbisë më 12 korrik në Bruksel.

“Jemi të lumtur që evropianët do të mblidhen në një takim më 10 korrik për diskutime të mëtejshme me Kosovën dhe Serbinë. Ne ofrojmë mbështetjen tonë totale dhe jemi mirënjohës për udhëheqjen e tyre”, shkroi Grenell.

Grenell tutje ka theksuar se është e rëndësishme që ky takim të përfundojë me heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, teksa shtoi se duhet të bisedohet edhe rreth ekonomisë.

“Çështja e rëndësishme e liberalizimit të vizave do të përfundojë në këtë takim. Shtetet e Bashkuara kanë punuar shumë për të theksuar normalizimin ekonomik midis palëve sepse besojmë se është hapi i parë thelbësor për këtë mosmarrëveshje politike afatgjatë”, ka shkruar ai tutje, përcjell Gazeta Metro.

Ndër të tjera, emisari amerikan thotë se në këtë takim duhet të fillojë zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara muaj më parë, nën ndërmjetësimin e tij.

Të ngjashme