Grenell në përvjetorin e Marrëveshjes së Washingtonit: “Biden po i injoron Kosovën dhe Serbinë”

Prishtinë | 08 Sht 2021 | 09:42 | Nga Ekonomia Online

Ish- emisari special për dialogun Kosovë–Serbi, Richard Grenell, ka thënë se presidenti i tanishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka shpërdoruar negociatat historike të ish presidentit Donald Trump në mes Kosovës dhe Serbisë.

Grenell tha se një vit më parë, bota festoi nënshkrimin e Marrëveshjes së Normalizimit Ekonomik në mes Kosovës e Serbisë të nënshkruar në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë.

“Presidenti Trump kishte sjellë së bashku presidentin Aleksandar Vuçiq të Serbisë dhe kryeministrin e atëhershëm të Kosovës Avdullah Hoti për të ndërmarrë një hap të madh drejt zgjidhjes së konfliktit të tyre historik”, është shprehur Grenell, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, Grenell në një shkrim autorial të publikuar në “Federalist” thekson se vizioni i Trump për Kosovën dhe Serbinë ishte që të normalizohen marrëdhëniet ekonomike në mes dy vendeve dhe rigjallërimi në të gjithë Ballkanin ndërsa strategjia e të folur të vazhdueshëm politik, e udhëhequr nga evropianët, nuk po funksionte.

Grenell ka kritikuar qasjen e administratës Biden. Sipas tij, Joe Biden po e injoron Kosovën, Shqipërinë, Serbinë dhe të gjithë rajonin, teksa thotë se ai nuk ka të dërguar presidencial për negociatat Kosovë – Serbi dhe nuk ka plane brenda Shtëpisë së Bardhë për rajonin e Ballkanit.

“Nuk ka vizita të nivelit të lartë të planifikuara nga zyrtarët amerikanë dhe asnjë datë që udhëheqësit e Ballkanit të vijnë në SHBA”, ka thënë Grenell.

Më tej, ish ambasadori i SHBA-së në Gjermani, thotë se ish presidenti Trump ende beson se secila palë duhet t’i njohë diplomat dhe certifikatat profesionale të njëra-tjetrës dhe të bashkohet në “zonën mini-Schengen” të shpallur nga tri vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor 2019.

“Ekipi Trump shpreson se të dyja palët do të vazhdojnë me angazhimet e tyre për të ndihmuar në dekriminalizimin e homoseksualitetit në 69 vendet ku aktualisht është i paligjshëm dhe zgjerimin e marrëdhënieve të tyre diplomatike me Izraelin”, është shprehur Grenell, përcjellë Klankosova.tv.

Ndërsa, Grenell thotë se Trump beson se palët duhet t’i përmbahen angazhimeve të tyre për të përshpejtuar përpjekjet për të gjetur dhe identifikuar eshtrat e personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Kurse, sa i përket marrëveshjes për moratorium njëvjeçar mbi kërkimin e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe një moratorium njëvjeçar për fushatën e çnjohjeve nga Serbia kundër Kosovës, Grenell thotë se tashmë kjo marrëveshje është shpërdoruar nga Biden dhe se palët nuk janë më të detyruar ta mbajnë atë zotim.

“Është tepër zhgënjyese që Joe Biden nuk u përpoq ta zgjaste premtimin e tyre. Sikur Joe Biden ka harruar që Ballkani ekziston”, është shprehur Grenell./

Të ngjashme