Grenell para takimit në ShBA: Mundësi për krijimin e zonës ekonomike Kosovë-Serbi

Prishtinë | 23 Qer 2020 | 14:00 | Nga Ekonomia Online

I dërguari i Donald Trumpit, Richard Grenell ka folur në një intervistë për mediat amerikane sa i përket takimin mes Kosovës dhe Serbisë në Washington, të shtunën e 27 qershorit, thotë se kur ka diskutuar me komunitetin e biznesit në Kosovë dhe të Serbisë, të dyja palët kanë kërkuar zhvillim ekonomik.

“Kur fillova të diskutoja këto çështje me njerëzit e Kosovës dhe komunitetin e biznesit në Kosovë, njerëzit në Serbi dhe komunitetin e biznesit atje, çfarë ishte e qartë është se ata dëshironin zhvillim ekonomik. Ata donin vende pune për të rinjtë, ata donin shpresë”, citon Koha jonë raportimet. Grenell ka renditur marrëveshjet e arritura për autostradën, hekurudhën dhe linjën ajore, duke shtuar se administrata Trump do të koncentrohet për të krijuar një zonë të vogël ekonomike mes dy shteteve.

”Çfarë ne provuam është të gjejmë menjëherë formulën se si të rrisim ekonominë. Ne bëmë një marrëveshje për linjën ajrore, të parën pas 21 vjetësh, fluturimet mes Prishtinës, kryeqytet i Kosovës dhe Beogradit, kryeqytet i Serbisë. Ende nuk janë zbatuar, por ne kemi marrëveshjen, e cila do të hapë kufijtë e tregtisë dhe një marrëveshje të madhe kufitare për trafikun e automjeteve. Çfarë ne jemi duke provuar të bëjmë është të koncentrohemi në situatën ekonomike, për të krijuar një zonë mini-Shenzhen, zona e parë speciale ekonomike në Kinë”.

Richard Grenell ka bërë të ditur se delegacionet e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor. Të dyja shtetet janë zotuar për angazhim në këto bisedime. Serbia është zotuar se do të ndalojë fushatën e çnjohjeve, ndërsa Kosova nuk do të kandidojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Të ngjashme