Gruaja e kryeministrit Albin Kurti e promovon librin e saj në Beograd

Prishtinë | 23 Sht 2021 | 13:19 | Nga Ekonomia Online

Rita Augestad Knudsen, gruaja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e ka promovuar një libër në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, raporton B92, transmeton Gazeta Express.

Bëhet fjalë për librin “Ideja e lirisë dhe vetëvendosjes”. Me këtë rast, sipas mediave serbe, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, i cili e përktheu librin në gjuhën serbe, organizoi një konferencë diskutimi mbi vetëvendosjen.

Rita Augestad Knudsen, e cila iu bashkua konferencës përmes Zoom-it, e falënderoi organizatorin për përkthimin dhe organizimin e bisedës me temën e së drejtës për vetëvendosje.

Përveç Sonja Biserko, në bisedë morën pjesë edhe drejtori i Forumit për marrëdhënie etnike, Dushan Janjiq dhe profesori i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Dragan Gjukanoviq.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Kërkim dhe Zhvillim (KIPRED), Lulzim Peci, profesori i Fakultetit të Shkencave Politike në Sarajevë, Nerzuk Ćurak, dhe profesori i Fakultetit Juridik në Podgoricë, Sërxhan Darmanoviq, iu bashkuan diskutimit.

Ndër të tjera, siç raportojnë mediat serbe, autorja tha se pret që koncepti i vetëvendosjes, kuptimi dhe koncepti i të cilit po ndryshon, do të kthehet në politikën ndërkombëtare.

Libri, ndër të tjera, siç është shkruar në hyrje, flet mbi rëndësinë e temës së “vetëvendosjes”, që siç shkruhet, reflektuan luftën mbi kuptimin ndërkombëtar të lirisë dhe ishin pjesë e saj.

Të ngjashme