Grupet e miqësisë synojnë bashkëpunimin me pesë vendet që s’e kanë njohur Kosovën

Prishtinë | 08 Mar 2020 | 08:23 | Nga Albanë Hajdari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryesia e Kuvendit ka formuar 55 grupet e miqësisë nga të gjitha rajonet e botës, përfshirë edhe vendet që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.

Por, vlerësohet se disa nga grupet duhet të funksionalizohen e jo të mbesin të njëjta si në legjislaturat e kaluara. Këto grupe do të ndihmojnë drejt thellimit të bashkëpunimit me vendet e tjera, përfshirë edhe pesë vendet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli tha për Ekonomia Online se të gjitha grupet e miqësisë do të jenë funksionale dhe aktive.

“Gjatë legjislaturës së kaluar kam qenë pjesë e grupit miqësisë me Britaninë e Madhe dhe bashkëpunimi jonë me grupet e miqësisë ka qenë i jashtëzakonshme që ka ndihmuar që të krijojmë lidhje me të veçanta. E njëjta praktikë duhet të vazhdoj, por problemi që ka qenë në legjislaturat e kaluar disa grupe të miqësisë nuk janë funksionalizuar fare dhe në këtë legjislaturë do të mundohemi që të gjitha grupet e miqësisë ti bëjmë sa më aktive që është e mundu”.

 “Sidomos që të krijojmë grupe të miqësisë me shtete të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, veçanërisht 5 shtetet e BE-së. Puna jonë është te shtet që nuk na kanë njohur, por edhe të ato që na kanë njohur por nuk kemi thellim të bashkëpunimit sa i përket disa shteteve brenda BE-së”, ka thënë Pacolli.

Kurse opozita kërkon që këto grupe të miqësisë të jenë globale e jo vetëm në Ballkan e Evropë.

Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) thotë se grupet e miqësisë do të ndihmojnë Kosovën drejt liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Me tej, Hoxhaj theksoi se deputetët e grupeve të parlamenteve të botës mund të kërkojnë llogari prej qeverive të tyre në raport me Kosovën.

“Politika e jashtme në 2020 ka krejtësisht pritje të tjera, kërkesat tona si shtet janë tërësisht të reja, por edhe konteksti ndërkombëtar janë të ndryshme. Grupet e tilla të miqësisë thellojnë miqësi me grupet e parlamenteve të botës. E kanë një rol se këta deputet munden sa ta mbështesin Kosovën ashtu të kërkojnë llogaridhënie prej qeverive të tyre në raport me Kosovën”.

“Vendet jo njohëse do të jenë ura të reja për vendosjen e komunikimit që këto vende që nuk e kanë njohur Kosovës mund të lëvizin drejt njohjes. Po ashtu mund të ndikojë edhe në votat në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare si dhe në liberalizimin e vizave. Gjeografia e grupeve të miqësisë duhet të jetë më globale jo vetëm në Evropë e Ballkan, por edhe në Azi, Afrikë, Amerikë Latine, Oqeani, e kudo që ka nevojë për një bashkëpunim”, u shpreh Hoxhaj.

Ndërsa njohësi i çështjeve ndërkombëtare Afrim Hoti thotë se grupet e miqësisë duhet të jenë më efikase.

“Shoh elemente pozitive dhe emocionale sepse lobimi nuk mund të bëhet nga grupet e caktuara numerikisht. Mund të formoj 100 grupe por kjo nuk do të thotë se po bëhet përmbajtjesore. Duhet të jemi më të ngushtë por me efikas, sepse çështja e lobimit nuk është vetëm e ministrisë së Punëve të Jashtme”, tha Hoti.

Lexo më shumë:

Të ngjashme