Grupet parlamentare kritikojnë raportin e AKP-së

Prishtinë | 25 Tet 2018 | 15:30 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sikurse projektligjet dhe raportet e tjera të shqyrtuara sot në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës,  as raporti i AKP-së nuk arriti të hidhet në votim, për shkak të mungesës së kuorumit.

Kryetarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Sala Berisha Shala, prezantoi para deputetëve arsyetimin për raportin vjetor të punës së AKP-së për vitin 2017, raporton Ekonomia Online.

Ajo tha se komisioni i rekomandon Kuvendit që ta miratojë këtë raport.

Nënkryetarja e komisionit për Buxhet, Safete Hadërgjonaj, tha se sipas këtij raporti, AKP-ja ka shfrytëzuar 90.68% të buxhetit të saj prej 7 milionë e 600 mijë euro.

“Ky raport nuk konsiderohet si i miratuar, për shkak se janë tri vota për dhe tri abstenime, edhe pse nuk ka pasë votë kundër”.

Në anën tjetër, grupet parlamentare paraqitën vërejtjet e tyre në lidhje me raportin e AKP-së.

Në emër të grupit parlamentar të PDK-së, Sala Berisha Shala, ndonëse tha se e mbështesin raportin e këtij agjencioni, renditi të metat e tij.

“Mbështesim raportin e këtij agjencioni. Në raport janë theksuar edhe sfidat kryesore, vonesat në zgjidhjen e lëndëve në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, mospagesa e pronave të shpronësuara nga qeveria. AKP ka dhënë rekomandime ngritjen e kapaciteteve në Gjykatën Supreme  dhe të gjykatave themelore”.

Sala Berisha Shala kritikoi AKP-në për mosparaqitje të ndonjë të dhëne se kur do të përfundojë procesi i privatizimit.

“AKP  nuk ka paraqitë ndonjë raport se kur do të përfundojë procesi i privatizimit. Ajo është dashur të paraqesë planin për përfundimin e procesit të privatizimit. Raporti do të duhej të paraqiste edhe listën e uzurpatorëve dhe se çfarë është bërë me ta”.

Dardan Sejdiu nga PSD-ja ngriti shqetësimin me të dhënat që janë paraqitur në këtë raport.

Sejdiu tha se ky raport edhe një herë po e bën edhe më të qartë se ky agjencion duhet të mbyllet.

“Privatizimi ishte mjet në Republikën e Kosovës, tash e 18 vite është shndërruar në qëllim. Numrat dhe shifrat përputhen për shembull të hyrat nga shitjet 670 milionë euro. 700 milionë euro kemi shitë asete për këto dy dekada”.

“Po raportojmë saktë për gabimet ekonomike në 18 vitet e fundit. Dhe mirë është sepse tash e kemi të qartë që këtë agjencion duhet me mbyllë, me ndalë këtë proces të privatizimit. PSD nuk do ta votojë këtë raport, këtë çështje do ta luftojmë dhe një model ekonomik që mburret me shitjen e aseteve dhe shkatërrimin e ekonomisë duhet ta luftojmë”.

Bilall Sherifi nga Grupi Parlamentar i Nismës tha se për shkak se ky raport është korrekt do ta mbështesin, ndonëse, sipas tij, ekonomia në Kosovë është duke u shkatërruar nga privatizimi.

“Raporti është korrekt, kanë treguar krejt çka kanë shitë dhe qysh e kanë shitë. Nuk e di a ka mbetë naj sen me shpëtu nga privatizimi. Nuk shpëtohet më ekonomia jonë me ndërprerjen e privatizimit, raporti është korrekt prandaj edhe e mbështesim”.

Blerim Kuqi nga AAK kërkoi që ky raport të votohet për korrektësinë që ka pasur.

Mirëpo, debatin e zhvilluar në kuvend nuk e kuptoi deputeti Muharrem Nitaj.

Ai tha se në rend të ditës është shqyrtimi i Raportit vjetor të AKP-së e jo për privatizimin.

Andaj, Nitaj nga AAK-ja propozoi që të shkohet në votim.

“Nuk e kemi në rend të ditës privatizimin. Ne e kemi në rend të ditës që është raporti vjetor i AKP-së për 2017. Nuk e kuptoj debatin se si është e mundur që një raport të shndërrohet në rubrikën e famshme ‘hajt pak’. Të vazhdojmë me procedurën e votimit”.

Të ngjashme