Hahn: Franca është kundër zgjerimit të BE-së, kjo mund të jetë një katastrofë

Prishtinë | 24 Tet 2019 | 10:22 | Nga Ekonomia Online

Johanes Hahn ka kritikuar ashpër refuzimin e fillimit të negociatave për integrimin evropian të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut.

Komisioneri evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johanes Hahn ka kritikuar ashpër refuzimin e fillimit të negociatave për integrimin evropian të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut.

Ai ka thënë se kjo mund të sjellë pasoja katastrofale politike dhe destabilizim në të ardhmen. Hahn gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve “APA”, ka thënë se mbetet pyetje e hapur nëse bëhet fjalë për një veto nga Franca, transmeton lajmi.net.

“Ta themi sinqerisht, pas vendimit të Këshillit të BE-së, nuk dua ta them por jemi të pafuqishëm. Duhet t’i kemi parasysh proporcionet, se 25 shtete janë deklaruar me po”, deklaroi ai.

Hahn ka thënë se presidenti i Francës, Emmanuel Macron kërkon që BE-ja fillimisht të ketë një zgjerim të brendshëm para hapave të mëtutjeshëm dhe se këtë qëndrim e kanë mbështetur edhe disa anëtare tjera, por theksoi se argumenti i tij ishte se këto dy gjëra duhet të zhvillohen paralelisht, transmeton lajmi.net.

“Edhe njëra edhe tjera zgjasin me vite edhe pse nëse do ta kishim ndjekur linjën e Macronit atëherë njëra do të shkonte me tjetrën dhe nga perspektiva e anëtarësisë mund të zgjasë rreth 30 vjet. Kjo, nuk është kurrfarë perspektive, e as shenjë për reforma”, porositi Hahn.

“Duket qartë se Franca aktualisht nuk dëshiron zgjerim. Mund ta shtyni një herë, edhe atëherë duhet të keni argumente. Ndoshta edhe herën e dytë kur afatet kohore të Bundestagut gjerman kanë qenë të kufizuara por sinqerisht tani më nuk ka argumente. Besimi në këtë temë në BE është dëmtuar rëndë”, theksoi ai. 

Të ngjashme