Hahn: Kosovë-Serbi, çdo marrëveshje s’duhet ta rrezikojë stabilitetin e rajonit

Durrës | 27 Gus 2018 | 13:01 | Nga Valbona Bytyqi

Komisioneri  për Zgjerim, Johanes Hahn, vlerëson se marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet ta rrezikojë stabilitetin e përgjithshëm të rajonit.

Ai këto komente i bëri pas takimit informal me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, i mbajtur në Durrës, raporton Ekonomia Online.

“Nuk është e përshtatshme që në këtë fazë të bëjmë komente lidhur me këtë çështje. Takimi i radhës në Bruksel nuk do të jetë i fundit, do të kërkojë kohë që të gjendet një marrëveshje, nuk jam i gatshëm të bëj një koment”.

“Ne nuk do të pranojmë asnjë anëtar të ri nëse nuk janë zgjidhur problemet dypalëshe. Çdo lloj marrëveshje dypalëshe nuk duhet të rrezikojë stabilitetin e përgjithshëm të rajonit. Ky duhet të jetë objektivi kyç”, tha Hahn.

 Hahn më tutje foli edhe për integrimin ekonomik, tema bosht e takimit informal të kryeministrave të vendeve të rajonit.

“Në vitin e fundit janë hapur 80 mijë vende të reja pune në të gjithë rajonin dhe tregtia është rritur. Kjo demonstron edhe potencialin ende të pranishëm në rajon që pret të shfrytëzohet që të përmirësohen kushtet ekonomike mes vendeve të rajonit, të heqim barrierat informale dhe formale”.

“Të vijoj njohja e diplomave akademike dhe certifikatave. Dëgjova se mund të ketë mundësi që dy vendet që nuk janë pjesë e ‘Roaming’ të merren parasysh që të bëhen pjesë. Ne na është dashur mbi 10 vite për të gjetur një zgjidhje në BE, por ne kemi eksperiencë dhe e dimë çfarë rruge duhet ndjekur”

Hahn bëri thirrje për përmirësim në sektorin e energjisë, pasi që, sipas tij, rajoni në vetvete ka më shumë mundësi për të qenë i vetëmbështetur për furnizim me energji.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme