Hajdar Beqa nuk tregon në çfarë cilësie u ftua Kadri Veseli në Hagë

Prishtinë | 09 Dhj 2019 | 18:04 | Nga Ekonomia Online

Hajdar Beqa nga Partia Demokratike e Kosovës ka folur në emisionin Frontal në T7 për ftesat nga Gjykata Speciale, derisa, ka komentuar edhe ftesën për kreun e PDK-së, Kadri Veselin që sot udhëtoi për në Hagë, raporton Gazeta Express.

Beqa duke folur për deklaratat e presidentit serb për masakrën e Reçakut, tha në Frontal se ajo që tha Aleksandër Vuçiq është skandaloze.

“Është skandaloze një president i vendit me quajt trillim masakrën e Reçakut, në atë kohë kur e kemi themelu ka qenë kërkesë e faktorit ndërkombëtar, Gjykata Speciale ishte një vendim i pakapërcyeshëm dhe në atë kohë kemi vepruar si shtet. Ftesa që ju ka bërë z.Veseli është e padrejtë, po ne jemi shumë optimist që z.Veseli do të jetë njeriu që do ta mbrojë më së miri. Pa luftën e popullit shqiptar nuk do të ishim këtu, ndihem krenar, nëse ndihem diçka në këtë botë, jam për kohën kur kam qenë ushtar, nuk e ndërroj as një pikë as një presje”, thotë ai.

Tutje, Beqa thotë se Veseli do të kthehet në Kosovë brenda dy ditëve, por, që nuk tregon se në çfarë cilësie është thirrur për intervistim.

“Do të kthehet brenda dy ditëve, nuk e di në çfarë cilësie, pavarësisht në çfarë cilësie do të jetë njeriu i duhur. Me z.Veseli kemi biseduar por kjo sa i përket ftesës së Gjykatës Speciale e kemi pasur parasysh se do të ftohen edhe njerëzit e PDK-së. Forma për çka po shkon në Hagë të bën me kanë krenarë, unë jam krenar që një njeri si z.Veseli shkon me mbrojtë luftën, edhe z.Veseli është krenar dhe nuk ndryshon asgjë për të kaluarën e tij, ka qenë një kërkesë e padrejtë, kurse tash këto shkuarja në intervistë janë obligime që burojnë nga Gjykata. Jo vetëm Gjykata Speciale po edhe 100 gjykata me kanë, lufta do të del më e pastra për liri e pavarësi”, shton tutje.

Të ngjashme