Haki Abazi fajëson opozitën: Sabotuan procesin e caktimit të ambasadorëve

Prishtinë | 03 Sht 2021 | 11:15 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi, ka hedhur fajin te opozita për mosmbajtjen e takimit për dëgjimin e kandidatëve për ambasadorë, duke e shtyrë mbledhjen për një datë tjetër.

Abazi në një njoftim në Facebook ka shkruar se deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi dhe ajo e AAK-së, Time Kadriaj kanë nënshkruar vetëm fletëprezencën dhe më pas kanë lëshuar mbledhjen, duke e bërë të pamundurën mbajtjen e takimit.

‘’Sot ka qenë e paraparë të mbahet takimi për dëgjimin e kandidatëve për Ambasador në vende të ndryshme. Prezent në takim kanë qenë: Adelina Grainca, Bahrim Shabani, Dimal Basha, Fitore Pacolli, Haki Abazi. Arjana Shoshi nga PDK dhe Time Kadrija nga AAK kanë nënshkruar në fletëprezencën dhe kanë lëshuar takimin duke e bërë të pamundur zhvillimin e dëgjimit të kandidatëve dhe rrjedhimisht dëgjimi shtyhet për një datë tjetër. Ky veprim është sabotim i procesit të caktimit të ambasadorëve. Gazmend Gjyshinca dhe Xhavit Haliti kanë paralajmëruar pamundësinë për pjesëmarrje për shkak të vizitave jashtë vendit’’, ka shkruar Abazi në Facebook.

Kritika për vonesën e emërimit të ambasadorëve ku Kosova ka mbetur pa përfaqësues diplomatik ka pasur edhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, më herët. Ai e ka kritikuar Qeverinë se po e godet veten nga brenda për të qenë e paralizuar jashtë.

Të ngjashme