Hale: SHBA-ja nuk ka recetë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës

Prishtinë | 07 Mar 2019 | 10:18 | Nga Ekonomia Online

Nënsekretari Amerikan për çështje politike, David Hale, këtë fundjavë do të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin, ku do të bisedojë me zyrtarët më të lartë shtetërorë dhe me shoqërinë civile.

Hale, në një intervistë për të përditshmen serbe “Danas”, ka thënë se nuk i takon SHBA-së, e as ndonjë vendi tjetër, të diktojë zgjidhjen përfundimtare Kosovë-Serbi.

Zyrtari amerikan i shpreh optimist se këtë vit mund të arrihet një zgjidhje mes dy vendeve, por tha se dialogu duhet të vazhdojë dhe taksa ndaj mallrave serbe duhet të hiqet.

“Ekziston mundësia që këtë vit të arrihet zgjidhja gjithëpërfshirëse, por vetëm nëse fillimisht vazhdon dialogu. Është koha të ndalen provokimet nga të dyja palët, të hiqet taksa, dhe që Beogradi dhe Prishtina t’i kthehen dialogut që e drejton Bashkimi Evropian, dhe që të dy palët të angazhohen për paqe. Besojmë se do të ishte dëm të lëshohet kjo mundësi e veçantë për paqe, për siguri dhe zhvillim ekonomik, siç ka theksuar edhe presidenti Trump në letrat e dërguara dy presidentëve Vuçiq dhe Thaçi. Njëzet vjet pasiguri është vërtet shumë. Ka ardhur koha që Beogradi dhe Prishtina më në fund të zgjidhin këtë problem”, deklaroi Hale, transmeton Koha.net.

Ai tha më tej se SHBA-ja nuk do të ofrojë “recetën” për zgjidhje. “Besojmë se ajo duhet të jetë e pranueshme si në Kosovë ashtu edhe në Serbi dhe duhet të kontribuojë në stabilitetin afatgjatë të rajonit. Vetëm Beogradi dhe Prishtina mund të arrijnë këtë përmes bisedimeve direkte që janë të nevojshme për të arritur zgjidhje. Nuk është në dorën e Shteteve të Bashkuara – e as në dorën e asnjë tjetri pasi veç po flasim për këtë – që të diktojë rezultatin final. Liderët dhe ekipet e tyre duhet të rinisin bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, të hulumtojnë të gjitha mundësitë dhe që bashkë me qytetarët e tyre sinqerisht dhe haptazi të komunikojnë. Në këtë proces, liderët e Serbisë dhe të Kosovës kanë mbështetjen tonë të plotë”, deklaroi Hale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme