Haliti e Petroviq në Sesionin e 62-të të Asamblesë së NATO-s

Prishtinë | 18 Nën 2016 | 11:59 | Nga

Një delegacion nga Kuvendi i Kosovës do të marrë pjesë në Sesionin Vjetor të 62-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg; presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan; dhe ministra të qeverive do t’iu bashkohen ligjvënësve gjatë katër ditëve në Stamboll.

Një delegacion i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga nënkryetari Xhavit Haliti dhe nënkryetari tjetër, Slobodan Petroviq do të marrin pjesë në Sesionin Vjetor të 62-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që nis këtë të shtunë në Stamboll.

Në një komunikatë për medie nga AP e NATO-s thuhet se parlamentarët nga vendet e NATO-s do të mblidhen këtë javë për t’i vlerësuar përgatitjet e Aleancës për rritjen e prezencës së saj ushtarake në shtetet Baltike dhe Poloni, si përgjigje ndaj kërcënimeve të Rusisë, dhe për zhvillimin e mënyrave për ta mposhtur terrorizmin në vend dhe në Lindjen e Mesme.

Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe ministrat e lartë të qeverisë do t’iu bashkohen ligjvënësve gjatë katër ditëve në Stamboll në Sesionin Vjetor të 62-të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Takimi në qendër të Turqisë, i vendosur në mes Evropës dhe Azisë, vjen katër muaj pasi institucionet e vendit i mbijetuan përpjekjes për grusht shtet, dhe vetëm pak ditë pas zgjedhjeve presidenciale dhe të Kongresit në Shtetet e Bashkuara, vendin anëtar kryesor të NATO-s.

“Gjithashtu do të jetë hera e fundit për kongres-menin e SHBA-ve Michael R. Turner kryesimi i bisedimeve të AP-së së NATO-s. Mandatit të tij dy-vjeçar si President po i vjen fundi, dhe votimi, për ta emëruar pasardhësin e tij,do të mbahet gjatë seancës plenare të ditës së hënë”, thuhet në komunikatën e AP të NATO-s.

Bëhet e ditur se në një seri rezolutash, anëtarët e Asamblesë janë të vendosur për t’i bërë thirrje NATO-s që të qëndrojë e bashkuar në mbrojtje të Aleatëve në kufi me Rusinë, pasi që qëndrimi i saj luftënxitës i vazhdueshëm po shkakton shqetësime.

Po ashtu, ligjvënësit, pritët ta konfirmojnë sërish mbështetjen e tyre për Gjeorgjinë dhe Ukrainën, dhe do t’ua kujtojnë aleatëve premtimin e tyre të dhënë për rritjen e shpenzimeve ushtarake.

“Qëndrimi i fortë konfirmon (pranon) të vërtetën e Nenit 5 për premtimin e dhënë për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të çdo aleati të NATO-s. Kjo kërkon prej të gjithë ne që të investojmë në burimet tona individuale dhe të përbashkëta – barrë kjo që duhet ta ndajmë të gjithë “, deklaroi Turenr përpara sesionit.

“Me Daesh-in nën presion në Irak dhe Siri, parlamentarët janë të vendosur për të bërë thirrje për ndarjen më të gjerë të shërbimeve të inteligjencë, dhe ashpërsimin e kontrolleve kufitare, pas shqetësimeve se luftëtarët e huaj nga rajoni kanë më shumë gjasa të kthehet në Evropë, pasi që grupi është tkurrur në Lindjen e Mesme”, thuhet më tej në këtë komunikatë.

Në tryezë është paraparë që të bisedohet gjithashtu edhe për përpjekjet e NATO-s për t’iu ndihmuar aleatëve, të goditur nga vala e refugjatëve.

“Për të ndihmuar në ndaljen e fluksit dhe për t’i bindur partnerët rajonal, ligjvënësit do të bëjnë thirrje që t’i bëhet më shumë presion diplomatik Presidentit sirian Bashar al-Asad dhe mbështetësve të tij në Rusi dhe Iran. Ata me gjasë do të apelojnë tek shtetet e NATO-s për ta thelluar bashkëpunimin me vendet e Gjirit dhe ato rreth Mesdheut”, thuhet në këtë komunikatë.

Ndërkohë bëhet e ditur se Asambleja është e vendosur që ta shpreh mbështetjen e saj për misionin mbështetës të vendosur të NATO-s në Afganistan dhe do të bëjë thirrje për ndihmë për t’i mbushur boshllëqet e mbetura të sigurisë dhe ta forcojë luftën kundër korrupsionit, si dhe do t’i bëjë thirrje donatorëve ndërkombëtarë që të vazhdojnë me mbështetjen e tyre për ekonominë afgane.

Në këtë komunikatë po ashtu thuhet se Qeveritë e NATO-s do të inkurajohen për të vazhduar me shpenzimet e tyre për inteligjencën ajrore, për aftësitë zbuluese dhe të mbikëqyrjes, të sigurohen që teknologjitë janë kompatibile në tërë Aleancën, dhe për t’i hequr pengesat për ndarjen e informacionit.

“Ky takim vjen në një kohë kritike. NATO përballet me një mjedis të paqëndrueshëm , siguria e së cilit është në rrezik, dhe Turqia është një aleat kyç dhe i vlefshëm, i cili e gjen veten përballë shumë sfidave të sotme të sigurisë “, theksoi Turner.

“Kombet tona janë anëtarë të aleancës më të suksesshme në histori, dhe ky sukses është arritur , pasi Aleanca është e bashkuar me besimin e saj dhe angazhimin për vlerat e përbashkëta. Ky sesion do të na lejojë për ta treguar mbështetjen tonë për një vend, i cili vetëm pak muaj më parë është përballur me një sulm të egër në kushtetutën dhe institucionet e veta demokratike. Në të njëjtën kohë, ne shikojmë përpara për të dëgjuar më shumë nga miqtë tanë turq në lidhje me natyrën, shkallën dhe zbatimin e masave emergjente të miratuara si përgjigje “.

AP e NATO-s bashkon anëtarët e parlamenteve kombëtare të Aleancës, si dhe vendet partnere, vëzhguese dhe organizatat. Kjo është një lidhje e rëndësishme midis Aleancës dhe parlamenteve të vendeve anëtare – dhe për këtë arsye është e rëndësishme edhe për qytetarët në zonën Euro-Atlantike.

Të ngjashme