Haliti kërkon nga danezët mbështetjen e Kosovës në integrime

Prishtinë | 20 Tet 2016 | 14:59 | Nga

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka pritur sot në takim përfaqësues të Lëvizjes Evropiane Daneze, e cila është pjesë e Lëvizjes Evropiane Ndërkombëtare.

Nënkryetari Haliti theksoi se shpreson që lëvizja të cilën e përfaqëson ky delegacion është e orientuar edhe në drejtimin që të mbështesë Kosovën në procesin e integrimit evropian, meqë, shtoi ai, Kosova është shteti më i ri në Evropë dhe ekziston dëshirë e madhe për t’iu bashkuar Evropës.

Me këtë rast, Haliti, duke u përgjigjur në interesimet e këtij delegacioni, foli për pengesat të cilat kanë hasur për të qenë pjesë e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Kemi pasur një pengesë për shkak të statusit që e kanë pasur vendet e Evropës për të qenë pjesë e Asamblesë Parlamentare të Këshillit dhe në bazë të statutit që ka qenë më herët, ka qenë obligim që shteti i cili aderon në Këshill të Evropës duhet të jetë anëtar i OKB-së…”, tha Haliti, duke sqaruar se tashmë byroja e këtij këshilli e ka ndryshuar statusin dhe i ka hequr ato pengesa.

“Në mbledhjen e fundit byroja e ka miratuar kërkesën tonë që të na pranojë si delegacion dhe në seancën e fundit është miratuar. Kjo për ne është një e arritur e madhe dhe shpresoj që në mbledhjen e byrosë që do të mbahet në Qipro apo edhe Paris, do të vendoset edhe hapësira e mundshme për të folur për të gjitha çështjet që do të diskutohen në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, tha Haliti.

Ai kërkoi nga delegacioni i Lëvizjes Evropiane Daneze që të mbështesë Kosovën edhe në këtë proces.

“Është në interes për Kosovën që të jetë pjesë e strukturave të Evropës dhe të integrohet në Evropë. Është në interesin e përgjithshëm për të gjitha vendet e Evropës që të jemi bashkë në këtë institucion dhe shpresoj të kemi mbështetjen në këtë pikë”, tha nënkryetari Haliti.

Në vijim, nënkryetari Haliti është përgjigjur në pyetjet dhe çështjet që u shtruan nga përfaqësues të Lëvizjes Evropiane Daneze, me theks të veçantë për procesin e integrimit evropian të Kosovës, marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe me shtetet tjera fqinje, dialogun Kosovë-Serbi, çështjen e veriut, çështjen e kufijve, bashkëpunimin pozitë-opozitë në Parlament, etj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme