Haliti: Mocioni nuk e ka votën time, për parti vendos Veseli

Prishtinë | 08 Pri 2017 | 13:01 | Nga

Partnerët e koalicionit qeverisës PDK-LDK, nuk duket se po i shqetëson paralajmërimi i një iniciative nga partitë opozitare për të kërkuar mocionin e mosbesimit për Qeverinë.

Një ide për mocion mosbesimi për ekzekutivin e ka dhënë kreu i Nismës, Fatmir Limaj e cila ka marr mbështetjen nga partitë opozitare, shkruan lajmi.net.

Por, kjo nismë nga dy partnerët e koalicionit përveç që po vlerësohet si një nismë që partitë opozitare kanë të drejtë ta marrin, nuk është se është komentuar shumë.

Për të kaluar mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë duhen së paku 60 vota. E për anëtarin e Kryesisë së PDK-së dhe nënkryetarin e Kuvendin Xhavit Halit kjo nismë është e drejtë e partive opozitare për ta bërë.

Ai i pyetur nga lajmi.net nëse do ta përkrah PDK-ja këtë mocion pasi për rrëzimin e Qeverisë Mustafa, janë shprehur edhe disa deputetët të kësaj partie, ka thënë se ai personalisht nuk do ta jap votën, ndërsa për qëndrimin e partisë vendos kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

“Votën time nuk e kanë, se a do ta mbështet partia këtë është në kompetencë të kryetarit të PDK-së për ta mbështetur ose jo”, ka thënë Haliti për lajmi.net.

Rreth mocionit për mosbesim ndaj Qeverisë, nuk ka komentuar shumë as kryeministri Mustafa i pyetur ditë më parë. Ai është shprehur se është e drejtë ligjore që opozita të kërkojë një gjë të tillë, duke shtuar se është i përkushtuar për të punuar në të mirë të qytetarëve.

Opozita ka paralajmëruar se nga e hëna do të nisë me mbledhjen e nënshkrimeve për mocion votëbesimi ndaj Qeverisë.

Aktualisht partitë opozitare kanë 30 deputetë e për të kaluar ky mocion u duhet së paku edhe 30 vota.

Lidhur me mocionin e votëbesimit Neni 100 i Kushtetutës se Kosovës, e përcakton mënyrën se si mund të ngrihet mocioni i mosbesimit.

“Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë mund të ngrihet me propozimin e një të tretës (1/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit”, thuhet në nenin 100 të Kushtetutës se Kosovës.

Tutje, në këtë nen thuhet se votëbesimin e Qeverisë mund ta kërkoj edhe vet kryeministri.

“Mocioni i mosbesimit vihet në rendin e ditë të Kuvendit, jo më vonë se pesë (5) ditë e as më herët se dy (2) ditë nga data e parashtrimit të tij. Konsiderohet se mocioni i mosbesimit është pranuar, nëse për të kanë votuar shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në nenin 100.

Nëse mocioni i mosbesimit dështon, me Kushtetutë është rregulluar se mocioni tjetër i mosbesimit nuk mund të ringrihet gjatë 90 ditëve të ardhshme.

Nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme