Hamza: Konjufca të dorëhiqet dhe të sqarohet për lidhjet me organizatën terroriste “Syri i Popullit”

Prishtinë | 28 Jan 2020 | 14:26 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza tha se është shqetësuese që ideologët e organizatës terroriste “Syri i Popullit” nga Vetëvendosje nuk kanë bërë asnjë distancim nga kjo organizatë.

“Për Partinë Demokratike të Kosovës është e papranueshme qasja e deritanishme e Vetëvendosjes e cila po pretendon të udhëheq institucionet e vendit”.

“Akoma më alarmante është mos-deklarimi për këtë çështje i kryetarit të Kuvendit të Kosovës që vjen nga kjo parti, Glauk Konjufcës, i cili është një nga ideologët politik të kësaj organizata terroriste”.

“Si mbajtësi i njërës prej pozitave më të rëndësishme të shtetit të Kosovës ai ka detyrim moral dhe institucional që të sqaroj opinionin publik për implikimin e tij personal me këtë organizatë kur dihet për më tepër se ai është edhe i lidhur ngushtë familjarisht me njërin nga protagonistët e kësaj organizate terroriste, Sadri Ramabajën, ish kandidatin për deputet dhe ish-asambleistin e Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Hamza.

Fjalimi i plotë i Hamzës:

Të nderuar gazetarë, mirë se keni ardhur në konferencën për media të Partisë Demokratike të Kosovës. Nesër mbushet një javë që kur është dënuar organizata terroriste “Syri i Popullit” dhe anëtarët e saj e nuk kemi as edhe një reagim të vetëm të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila e frymëzoi këtë formacion parapolitik i cili për qëllim kryesor kishte vrasjen e kundërshtarëve politikë.

Për Partinë Demokratike të Kosovës është e papranueshme qasja e deritanishme e Vetëvendosjes e cila po pretendon të udhëheq institucionet e vendit. Akoma më alarmante është mos-deklarimi për këtë çështje i kryetarit të Kuvendit të Kosovës që vjen nga kjo parti, Glauk Konjufcës, i cili është një nga ideologët politik të kësaj organizata terroriste.

Si mbajtësi i njërës prej pozitave më të rëndësishme të shtetit të Kosovës ai ka detyrim moral dhe institucional që të sqaroj opinionin publik për implikimin e tij personal me këtë organizatë kur dihet për më tepër se ai është edhe i lidhur ngushtë familjarisht me njërin nga protagonistët e kësaj organizate terroriste, Sadri Ramabajën, ish kandidatin për deputet dhe ish-asambleistin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Aktivitetet e kësaj organizate të dënuar për veprimtari terroriste janë produkt i një fushate të gjatë e intensive të gjuhës së urrejtjes, të linçimit publik të kundërshtarëve politikë, të demonizimit të rivalevë elektoralë si dhe të stigmatizim sistematik të institucioneve dhe figurave shtetërore. Kjo fushatë u përshkallëzua në akte të organizuara dhune që variuan nga sulmet me gurë, molotov, vezë, sprej e gaz lotsjellës e deri tek djegia e makinave personale të përfaqësuesve të partive kundërshtare, vendosja e bombave nëpër shtëpi private e gjuajtja me raketë e institucioneve më të rëndësishme të shtetit.

Kjo fushatë sistematike kulmoi me veprimtarinë e organizatës terroriste Syri i Popullit e cila kishte përgatitur një plan mizor për të likuiduar kundërshtarët politik dhe figura publike që mendonin ndryshe prej tyre. Këtë plan filluan ta zbatonin me një tentativën për vrasje. Prandaj, 20 vjet pas luftës, Kosova, nuk e meriton të ketë në krye të institucionit kryesor demokratike një politikan i cili ka lidhje familjare dhe politike me aktivistet e Vetevendosjes te Syrit te Popullit.

Tanimë që akt-akuza është provuar dhe aktivistë të Vetëvendosjes si Sadri Ramabaja tashmë janë dënuar, është bërë e doemosdoshme që Lëvizje Vetëvendosje të reagojë duke u distancuar nga kjo organizatë terroriste dhe duke dënuar veprimtarinë e saj. Për këtë arsye, kryeparlamentari Glauk Konjufca duhet urgjentisht të jap dorëheqje që ta ruaj karakterin demokratik dhe ligjor të Kuvendit të Kosovës. Heshtja e vazhduar e Lëvizjes Vetëvendosje nuk bën gjë tjetër përveçse legjitimon aktet terroriste të kësaj organizate dhe vërteton lidhjet e ngushta politike dhe familjare mes Syrit të Popullit dhe Vetëvendosjes.

Idetë dhe planet terroriste për të bërë vrasje serike në Kosovë të kësaj organizate duhet të dënohen fuqishëm nga të gjithë aktorët edhe faktorët politik në vendin tonë pasi cënojnë rëndë themelet e shtetit të së drejtës dhe institucionet demokratike të vendit tonë si dhe kërcënojnë sigurinë e qytetarëve dhe paqen e stabilitetin brenda vendit tonë. Po ashtu duhet t’i jepet njëherë e mirë fund edhe fushatës propagandistike negative që e ka frymëzuar dhe ushqyer organizatën terroriste Syri i Popullit.

Të ngjashme