Hamza priti në takim ambasadorin francez në Kosovë Chabert

Prishtinë | 17 Kor 2019 | 16:03 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Financave Bedri Hamza ka pritur sot ambasadorin e Francës në Kosovë Didier Chabert, më të cilin kanë biseduar për bashkëpunimin ndërinstitucional, me theks të veçantë në realizimin e projekteve të përbashkëta për qytetarët e Kosovës.  

Me këtë rast ministri Hamza, falënderoi ambasadorin Didier Chabert për mbështetjen e madhe që shteti i Francës dhe ai personalisht i ka ofruar Kosovës përgjatë viteve të fundit që ka shërbyer në Kosovë.

“Jam i lumtur që kam mundur të shoh për nga afër se si së bashku kemi arritur të adresojmë sfida të ndryshme, veçanërisht lidhur me projektet tona të përbashkëta. Në Ambasadën e Francës në Kosovë kemi hasur gjithmonë në partneritet konstruktiv dhe për këtë ju falënderoj ju dhe stafin tuaj” shtoi ministri Hamza. 

Sipas ministri Hamza, me angazhimin e përbashkët është arritur që të shtyhet përpara implementimi i iniciativave tona dhe të fillohen procese të reja, të cilat i shërbejnë rritjes së partneritetit mes Kosovës dhe Francës, si  dhe kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.   Ai me këtë rast theksoi se Kosova është në proces të zhvillimit të negociatave për arritjen e Marrëveshjes lidhur me Vendosjen dhe Aktivitetin e Agjencisë Franceze për Zhvillim, të PROPARCO-s dhe të Ekspertizës Franceze, në Kosovë.

Në këtë takim gjithashtu u diskutua edhe për progresin e arritur në projektin për ndërtimin e Impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë, ku u bë e ditur se, me dakordimin e palëve të  përfshira, implementimi i projektit ka kaluar tek Kompania rajonale e Ujësjellësit, e cila edhe do të jetë shfrytëzuese e aseteve pas ndërtimit të tyre.  Me këtë rast, ministri Hamza bëri të ditur  gjithashtu se është duke u punuar për të siguruar studimin e fizibilitetit dhe investimet e nevojshme për rrjetin e kanalizimit në Prishtinë, që do të mundësonte shfrytëzim sa më efikas të impiantit të ri.

Ndërsa, ambasadori i Francës në Kosovë Didier Chabert duke falënderuar ministrin Hamza për bashkëpunimin e deritanishëm, ai edhe një herë rikonfirmoi përkushtimin e shtetit të Francës për mbështetjen e Kosovës në zhvillimin e projekteve të cilat ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, si dhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme