Hamza: Qeveria veproi mirë kur uli pagat, gaboi me buxhetin

Prishtinë | 19 Maj 2020 | 21:38 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se 100 ditë të qeverisjes nuk janë të mjaftueshme për të vlerësuar punën e cilësdo Qeveri.

“Mund të bëhet shumë pak. Është kohë shumë e shkurtër. Asnjëherë nuk i shikoj çështjet bardhezi. Çkado që është e mirë e pranoj dhe vlerësoj edhe atë që nuk është e mirë. Vendimi për zvogëlimin e pagave është vendim i mirë. Unë e kam kundërshtuar atë si ministër sa kam qenë. Kam votuar kundër dhe nuk e kam marrë pagën me rritje”, ka thënë Hamza, njofton Klan Kosova.

“Ligji është aprovuar në kuvend dhe Gjykata Kushtetuese e ka shtyrë deri në fund të qershorit. Nëse vendos pozitivisht ai ligj hyn në fuqi dhe pagat kthehen në nivelin e përafërt”.

Hamza në Rubikon ka thënë se Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti ka bërë gabime në periudhën e qeverisjes.

“Qeveria vepruar në panik e edhe me qëllim ka bërë veprime të gabuara sic ka qenë rasti me votimin e buxhetit, mënyrën e procedimit, i ka shmangë deputetët. Buxheti nuk i ka reflektuar situatën dhe nevojat rreth pandemisë. Si PDK kemi marrë iniciativa ligjore në përputhje me aktet ligjore që ta ofrojmë një projektligj mbi bazën e të cilit mund të diskutojmë”.

“Kemi propozuar pakon që ka qenë me 320 milionë dhe kemi qenë e sigurt se është e domosdoshme që të bëhet projektligji për menaxhimin e financave. Qeveria është vonuar me masat dhe është duke u vonuar dhe nuk janë të mjaftueshme nga niveli dhe nuk janë gjithëpërfshirëse dhe nuk janë të bazuara në ligj”.

Të ngjashme