Haradinaj: AAK-ja e përkrah Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, përgëzon PDK-në për mbështetjen

Prishtinë | 04 Dhj 2020 | 12:25 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj ka përgëzuar deputetët që kanë dhënë nënshkrimet e tyre për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit në të cilët pritet të miratohet Rimëkëmbja Ekonomike. Haradinaj ka mirëpritur gatishmërinë dhe vullnetin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ta përkrahur këtë projektligj.

“Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i kanë dhënë nënshkrimet për këtë seancë të jashtëzakonshme me bindjen se po shqyrtojmë një çështje më të rëndësishme për qytetarët e Kosovës e jo për qeverinë. I bie që edhe 600 milionë euro të buxhetit të Kosovës, trustit penzional, do të kalojnë direkt tek qytetarët e Kosovës. Kjo është një e arritur, dhe publikisht e përgëzoj Partinë Demokratike të Kosovës që ka gjetur vullnetin për kalimin e këtij Ligji”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se Grupi Parlamentar i AAK-së në përbërjen e tij të plotë është në përkrahje të këtij projektligji.

“Ne si AAK edhe në seancat e kaluara por edhe sot në përbërje të plotë i kemi dhënë përkrahje këtij ligji të rëndësishëm për Kosovën, i cili për herë të parë qytetarëve të Kosovës do t’ia mbushë shportën. Andaj, i përgëzojë të gjithë ata deputetë të cilët kanë marrë guximin për ti dhënë mbështetje”, tha shefi i GP të AAK-së, Daut Haradinaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme