Haradinaj: Aksioni për Pajtimin e Gjaqeve e bashkoi popullin në synimin për liri e pavarësi

Prishtinë | 01 Maj 2020 | 09:50 | Nga Ekonomia Online

Sot shënohet 30-vjetori i pajtimit të gjaqeve te Verrat e Llukës, një ngjarje që synonte të pajtojë familjet e hasmëruara shqiptare.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Aksioni dhe Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve, ia kishte dalë që ta shkëpusë shoqërinë tonë nga epoka e gjakmarrjes për ta unifikuar në lëvizjen për liri e pavarësi.

“Aksioni dhe Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve, përmes bashkimit e pajtimit të popullit shqiptar ia doli që ta shkëpusë shoqërinë tonë nga epoka e gjakmarrjes për ta unifikuar në lëvizjen për liri e pavarësi. Tridhjetë vjet më parë filluan ndryshimet e mëdha drejt realizimit të aspiratave tona si popull”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që morën pjesë në këtë nismë patriotike, drejtuar nga Anton Çetta e Zekeria Cana.

“Te Verrat e Llukës u bashkuan rreth gjysmë milioni pjesëmarrës, në tubimin më madhështor shqiptar të të gjitha kohërave, ku kulmoi iniciativa më fisnike e rinisë sonë, e faljes dhe shtrirjes së dorës së pajtimit. Mirënjohje të përjetshme për të gjitha ata që morën këtë nismë patriotike, drejtuesit e saj Anton Çetta e Zekeria Cana, pajtimtarëve dhe heronjve të këtij aksioni kombëtar, atyre që falën në emër të atdheut e të popullit shqiptar!”, ka shkruar Haradinaj.

Fotografia e Ramush Haradinaj

Të ngjashme